Një gazetare italiane është arrestuar në Iran për më shumë se një javë. Kjo është bërë e ditur për mediat italiane nga Ministria e Jashtme e Italisë, sipas të cilës gazetarja italiane Cecilia Sala është ndaluar më 19 dhjetor nga autoritetet policore të Teheranit, teksa ishte në Iran për të kryer reportazhe gazetareske.

Ministria e Jashtme e Italisë zbuloi se ambasadorja e Romës në Teheran, Paola Amadei, e kishte vizituar atë për të kontrolluar kushtet e paraburgimit, duke shtuar se ajo ishte lejuar të bënte dy telefonata me familjen e saj.

“Në dispozicion të ministrit të Jashtëm, Antonio Tajani, ambasada dhe konsullata italiane në Teheran po ndjekin me vëmendjen më të madhe që në fillimet e saj çështjen e arrestimit të gazetares Cecilia Sala. Në koordinim me kryeministren, Farnesina punoi me autoritetet iraniane për të sqaruar situatën ligjore të Salas dhe për të verifikuar kushtet e ndalimit të saj. Ambasadorja italiane Paola Amadei zhvilloi sot një vizitë konsullore për të verifikuar kushtet dhe gjendjen e ndalimit të gazetares Sala. Familja është njoftuar për rezultatet e vizitës”.

Ministri i Mbrojtjes i Italisë, Giudo Crosetto tha se arrestimi i saj ishte “i papranueshëm” në një postim në mediat sociale, duke shtuar se Italia po përdor “veprime të nivelit të lartë politik dhe diplomatik” për të siguruar lirimin e saj.

Cecilia Sala punon për gazetën Il Foglio dhe për kompaninë e podcast Chora Media, e cila njoftoi në një deklaratë të veçantë se zonja Sala po mbahej në izolim në burgun Evin në Teheran dhe se nuk ishte dhënë asnjë arsye për ndalimin e saj.

Sipas Chora Media, zonja Sala u largua nga Roma për në Iran më 12 dhjetor me një vizë të vlefshme gazetari dhe kishte kryer disa intervista, duke prodhuar tre episode të podcast-it të saj “Stories”.

Ajo do të kthehej në Romë më 20 dhjetor, por telefoni i saj “u fik” pasi ajo shkëmbeu disa mesazhe më 19 dhjetor.