Këshilli i Bankës Popullore miratoi Raportin për rreziqet në sistemin bankar të Republikës së Maqedonisë së Veriut në tremujorin e tretë të vitit 2024. Gjithashtu, Këshilli miratoi një Vendim të ri për metodologjinë për identifikimin e bankave me rëndësi sistemike, me të cilin përmirësohet metodologjia ekzistuese në bazë të së cilës Banka Popullore identifikon bankat me rëndësi sistemike në vend dhe përcakton shtresën mbrojtëse të kapitalit për to, thonë nga Banka Popullore.

“Ky është një instrument makroprudencial për forcimin e qëndrueshmërisë së sistemit bankar duke forcuar aftësinë paguese dhe stabilitetin e bankave me rëndësi sistemike ndaj goditjeve ose humbjeve të papritura që mund të ndodhin gjatë veprimtarisë së tyre.

Ndryshimet në vendimin për bankat me rëndësi sistemike janë bërë edhe me qëllim të përafrimit të mëtejmë me Udhëzimet e Autoritetit Bankar Evropian (EBA) për identifikimin e bankave vendore me rëndësi sistemike.

Sipas Raportit për rreziqet në sistemin bankar gjatë tremujorit të tretë, treguesit e ekspozimit ndaj rreziqeve të sektorit bankar janë ende të qëndrueshëm, dhe stres testet tregojnë një kapacitet të mirë për të përballuar goditjet. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit ka mbetur në nivelin 19%, që është më i larti në shtatëmbëdhjetë vitet e fundit, ndërkohë që pesha e kredive me probleme në total është historikisht e ulët, 3%.

Në tremujorin e tretë të vitit, bankat punuan në kushtet e një ngadalësimi të ndjeshëm të inflacionit të brendshëm dhe të një tregu të favorshëm valutor, por rreziqet e mjedisit ende ekzistojnë dhe kërkohet monitorim i mëtejshëm dhe maturi e tyre në drejtimin e politikave. me qëllim ruajtjen e stabilitetit të sektorit bankar në periudhën e ardhshme”, thuhet në njoftimin e BP.