Qeveria gjermane ka akuzuar Elon Musk se po përpiqet të ndërhyjë në fushatën zgjedhore në Gjermani, me përkrahjet e përsëritura ndaj partisë së ekstremit të djathtë AfD.

“Elon Musk po përpiqet të ndikojë në zgjedhjet federale”, tha zëdhënësja e qeverisë Christiane Hoffmann pas postimeve në ‘X’ nga Musk dhe një opinioni të botuar në fundjavë që mbështet Alternativën anti-myslimane, anti-emigracion, AfD.

Ajo tha në një konferencë për mediat se Musk kishte të drejtën e fjalës, duke shtuar: “në fund të fundit, liria e mendimit mbulon edhe marrëzitë më të mëdha”.

Musk shpesh ka ndërhyrë në politikën gjermane, madje duke e quajtur kancelarin, Olaf Scholz, një “budalla”. Megjithatë, thirrjet e tij më të fundit për votuesit gjermanë që të mbështesin AfD-në, të cilën autoritetet federale e klasifikojnë si një parti e dyshuar ekstremiste, kanë shkaktuar zemërim dhe akuza për ndërhyrje shqetësuese në zgjedhjet e vendit që ka ekonominë kryesore të Evropës.

Sipërmarrësi me origjinë nga Afrika e Jugut, i cili është emëruar nga Donald Trump për të bashkëdrejtuar një komision që synon të zvogëlojë shpenzimet e qeverisë federale në SHBA, shkroi në X në fillim të këtij muaji: “Vetëm AfD mund ta shpëtojë Gjermaninë”.

Në postim, ai ndau një video nga një ndikuese e djathtë gjermane, Naomi Seibt, e cila kritikoi Friedrich Merz, kryesuesin konservator në zgjedhjet gjermane, dhe vlerësoi Javier Milei, presidentin e vetëquajtur “anarko-kapitalist” të Argjentinës.

Në fundjavë, me një editorial në botuar në Welt am Sonntag, Musk, duke argumentuar se Gjermania po shkonte në prag të kolapsit ekonomik dhe kulturor, mbronte AfD-në dhe vlerësonte qasjen e saj ndaj ekonomisë, duke përfshirë rregulloren dhe politikën e taksave.

Politikanët nga i gjithë spektri politik kritikuan përpjekjet e Musk për të ndikuar në peshoren e demokracisë gjermane, ndërsa ministri i shëndetësisë, Karl Lauterbach, i partisë Social Demokratike të Scholz (SPD), e quajti ndërhyrjen e tij “të padinjitetshme dhe shumë problematike”.

Merz, kandidati i CDU për kancelar, i tha grupit mediatik Funke: “nuk mund të kujtoj në historinë e demokracive perëndimore një rast të krahasueshëm të ndërhyrjes në fushatën zgjedhore të një vendi mik”.

Javën e kaluar, presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, kritikoi X në mënyrë eksplicite dhe Musk indirekt në një fjalim të shkurtër duke njoftuar vendimin e tij zyrtar për të shpërndarë parlamentin dhe për të thirrur zgjedhjet më 23 shkurt.

Steinmeier, roli i të cilit është kryesisht ceremonial, paralajmëroi për “influencë të jashtme” në fushatë, duke përmendur në mënyrë specifike përpjekjet e fundit “të hapura dhe flagrante” të X për të ndikuar te zgjedhësit.

Anëtarët e AfD-së kanë punuar për muaj të tërë për të qenë afër me kampin e Trump. Alice Weidel, bashkë-udhëheqësja e partisë, ishte një nga politikanët e parë jashtë vendit që mirëpriti fitoren e zgjedhjeve të Trump.

Një grup i vogël aktivistësh të AfD pozuan me Trump në klubin e tij privat Mar-a-Lago në ditën e zgjedhjeve në SHBA muajin e kaluar, duke brohoritur në anglisht dhe gjermanisht: “Luftoni! Luftoni! Luftoni!”.

AfD është e dyta në sondazh me rreth 19%, pas CDU/CSU me 31%. Një paraqitje e fortë e AfD mund të komplikojë skemat për ndërtimin e koalicionit pas zgjedhjeve, duke kërkuar që fituesi të kërkojë deri në dy aleatë për të formuar një shumicë qeverisëse.

Të gjitha partitë kryesore kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me AfD në nivel shtetëror ose federal.