“Jemi në afërsi të fshatit Tanushë, të cilin e ka kapluar dëbora e madhe, ndërsa rrugët janë vështir të kalueshme, ndërsa për të arritur brenda fshatit është pothuajse e pamundur. Ne tentuam që të afrohemi sa më afër fshatit por kjo është pak e vështirë pasi këtu ka rënë një sasi e madhe e borës dhe rruga për më tej është vështirë e kalueshme”, raporton Linda Ebibi, gazetare.

Stuhia e madhe e borës ka izoluar fshatrat Malinë dhe Tanushë, ata gjatë këtyre muajve nuk lëvizin pothuajse fare nga fshati për shkak të vështirësive që kanë për qarkullim. Shumica e rrugëve janë të bllokuara.

Banorët e kësaj zone thonë se tashmë tre ditë kanë mbetur edhe pa energji elektrike. Për këtë thonë se i kanë njoftuar autoritetet por deri tani nuk është ndërmarrë asnjë masë.

Nga EVN thonë se në fshatin Tanushë ka ndodhur ndërprerje e furnizimit me energji elektrike për shkak të rënies së shtyllës së grilave. Nga atje thonë se nuk dihet ende nëse dëmtimi është nga moti apo nga faktori njeri.

“Ekipet e elektrodistribuimit kanë dalë në teren menjëherë pas ndërprerjes së rrymës por janë ballafaquar me teren të pakalueshëm për shkak të reshjeve të borës. Dje pas tentativave të shumta, ekipet arritën në vendin e shtyllës së rrëzuar dhe konstatuan se shtylla duhet të zëvendësohet me një të re. Nesër sërish do të punohet në teren. Nëse në ndërkohë ka reshje të reja të borës dhe tereni bëhet i pakalueshëm, kompania do të bashkëpunojë me Institucionet kompetente shtetërore për tejkalimin e situatës”, thonë nga EVN.

Ekipet ndodhen në teren
Konstatohet rrëzimi i shtyllës
Rruga e vështirë, do të kërkohet ndihmë
Situata kritike nga stuhia e borës paraqitet edhe në disa vise të tjera malore. Një grua e cila është me mbështetje oksigjeni është bllokuar në një vikend shtëpizë në Mavrovë, dhe për momentin presin intervenimin nga Qendra për Menaxhim me Kriza për ta tërhequr nga atje.

Në fshatin Cvetovë të Komunës së Studeniçanit për shkak të shtresës së madhe të borës prej 60 centimetra një person që nga dita e djeshme është bllokuar në shtëpinë e tij të pushimit, dhe nuk ka mundësi ta përdor automjetin e vet, edhe pse ka pajisje dimërore.

Bora ka bllokuar edhe disa persona në shtëpinë malore “Karaxhocë” në Komunën e Studeniçanit. Autoritetet të cilat janë njoftuar peto banorë thonë se punohet për tërheqjen e tyre./alsat