Ministria për Sport, mbrëmë ndau çmimet për sportistët më të mirë në Maqedoninë e Veriut në vitin 2024.

Sportist i vitit është Kikboksieri Boban Ilioski, kurse sportiste tekvondistja Milijana Reljiq.

Për sportist të ri të vitit u shpall kikboksieri Silvio Mirovski, sportise e re hendbollistja Iva Mladenovska.

Ekipi më I suksesshëm i meshkujve janë Hendbollistët sikurse edhe në kategorinë e femrave.

Cmimin për sportist të personave me invaliditet e fitoi Olivera Nakovska Bikova, trajneri apo seleksionuesi më I suksesshëm Kiril Lazarovi, kurse Federata më e suksesshme ajo e Tekvondos.

Mirënjohje speciale fituan referët e hendbollit Slave Nikolov dhe Gjorgji Naçevski, kurse sportist më i talentuar tekvondisti Teodor Stojanovski.

Këto emra figuruan se kanë shënuar vitin sportiv 2024 në Maqedoninë e Veriut, në ngjarjen e organizuar nga Ministria për Rini dhe Sport e ku morën pjesë Presidentja Gordana Siljanovska Davkova dhe Kryeministri Hristijan Mickoski.

“Sporti është më shumë se lojë, është simbol uniteti, force dhe krenarie për kombin tonë. Të vazhdojmë me energjinë e përbashkët që ta mbështesim dhe të krijojmë kampionë” – ka shkruar në Facebook Kryeministri Mickoski.

Në listën e fituesve për vitin 2024 nuk figuron madje as një emër shqiptari. Sportistët, klubet, trajnerët, veprimtarët e sportit që mbajnë epitetin shqiptarë mbetën të përjashtuar nga çmimet.

Nuk e dijmë se si kanë qenë kriteret për përzgjedhjen e më të mirëve, por të anashkalosh përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut në futboll dhe Kapitenin Enis Bardhi bashkë me shokët e tij të skuadrës, pas suksesit historik në Ligën C të Kombeve dhe plasmanit në Divizionin B, me shifra historike të pikëve, nuk duam të mendojmë se bëhet fjalë për tendencë, por më e pakta që mund të thuhet është jokorrekte nga ana e organizatorëve.

Jokorrekte mbase është edhe mospërfshirja e asnjë sportisti, talenti apo trajneri e klubi shqiptarë në këtë listë, kur dihet se vetëm në sportin më të popullarizuar, në futboll, në Ligën e Parë dominojnë skuadrat shqiptare.

Kjo përzgjedhje e sportistëve të vitit 2024 madje nuk është as edhe në frymën e fjalimit të fundvitit të Presidentes Siljanovska në Kuvend, e cila e quajti të jologjikshme, që shtetas të RMV-së, të bëjnë tifo për ekip të huaj, në ndeshje ku merr pjesë Maqedonia e Veriut.

Sidoqoftë, sipas listës së laureatëve për sportistë të vitit, lehtë mund të konstatohet, se Sporti në Maqedoninë e Veriut në vitin 2024 nuk foli aspak në shqip. /tvklan.mk/