Autoritetet finlandeze njoftuan të mërkurën se një kabllo elektrike nënujore që lidh Finlandën dhe Estoninë është dëmtuar, duke shtuar një incident tjetër në një seri të ngjashme që kanë përfshirë infrastrukturën kritike në Detin Baltik.
Operatori finlandez i rrjetit të energjisë, Fingrid, bëri të ditur se ndërlidhësi Estlink 2 doli jashtë linje në orën 12:26 pasdite (1026 GMT). Arto Pahkin, kreu i operacioneve të Fingrid, deklaroi për transmetuesin publik Yle se nuk mund të përjashtohej mundësia e sabotazhit dhe se hetimet janë duke vazhduar.
Kryeministri finlandez Petteri Orpo siguroi qytetarët se ndërprerja e energjisë nuk ka pasur ndikim në furnizimin me energji elektrike të vendit. Ai theksoi se autoritetet do të mbeten vigjilente dhe po hetojnë situatën, duke shtuar se hetimet po zhvillohen edhe gjatë periudhës së festave të Krishtlindjeve.
Incidenti i fundit është pjesë e një serie shqetësuese të dëmtimit të infrastrukturës kritike në Detin Baltik që ka ndodhur pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Në tetor, një tubacion gazi nënujore që lidhte Finlandën dhe Estoninë u mbyll pasi një spirancë anijeje mallrash kineze e dëmtuan atë. Ndërkaq, muajin e kaluar, dy kabllo telekomunikacioni që lidhin Suedinë dhe Danimarkën u ndërprenë, dhe autoritetet dyshojnë për përfshirjen e anijes kineze Yi Peng 3.
Po ashtu, kablloja nënujore Arelion që lidh ishullin suedez të Gotland me Lituaninë, dhe kablloja e komunikimit C-Lion 1 që lidh Helsinkin, Finlandë me Rostock, Gjermani, u dëmtuan gjithashtu gjatë muajit nëntor.
Zyrtarët evropianë kanë sugjeruar se këto incidente mund të jenë të lidhura me sabotimin, i cili mund të ketë lidhje me tensionet e vazhdueshme nga lufta në Ukrainë. Nga ana tjetër, Kremlini ka hedhur poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si “absurde” dhe “të qeshura”.
Shpërthimet që shkatërruan tubacionet Nord Stream në shtator 2022, që transportonin gaz rus në Evropë, mbeten ende të pazgjidhura, duke nxjerrë në pah cenueshmërinë e rajonit ndaj sulmeve të mundshme në infrastrukturën e tij të rëndësishme.
Autoritetet e rajonit të Baltikut po vijojnë hetimet për këto incidente, ndërkohë që vigjilenca është e lartë për shkak të rritjes së tensioneve gjeopolitike.