Ish-drejtori i ZZHTI-së Jovan Despotovski, ka përgënjeshtruar raportimet se është arrestuar pasditen e sotme.
“Sa i përket informacioneve që dolën në opinion për paraburgimin e supozuar, dua ta informoj opinionin se të gjitha pretendimet për një veprim të tillë janë të pasakta. Informacionet e publikuara nga një pjesë e mediave i konsideroj si keqinformim të qëllimshëm apo të paqëllimshëm të publikut. Aktualisht po marr të gjitha hapat e nevojshëm ligjorë për të mbrojtur nderin dhe reputacionin tim. Disponueshmëria ime si për institucionet ashtu edhe për mediat është konfirmuar deri më tani në praktikë dhe do të mbetet e tillë edhe në të ardhmen. Unë me të vërtetë pres që mediat të kontrollojnë saktësinë e informacionit para se ta publikojnë atë, në mënyrë që të shmanget përhapja e mëtejshme e dezinformatave”, thotë Despotovski.