Dimitrieska-Koçoska: Janë siguruar 500 milionë euro me kushte të favorshme për shlyerjen e plotë dhe në kohë të euroobligacionit në muajin janar
Pesëqind milionë euro mjete të favorshme janë siguruar nga Banka Eksport-Import e Hungarisë për servisimin e rregullt dhe të plotë të detyrimeve që do të maturojnë në muajin janar të vitit 2025, në bazë të euroobligacionit të emetuar në vitin 2018.
Sot, në Budapest, ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, nënshkroi Marrëveshjen e huasë me Bankën Eksport-Import të Hungarisë.
“Sot, në Budapest, nënshkruam Marrëveshjen e huasë nga Banka Eksport-Import e Hungarisë, nga e cila po sigurojmë 500 milionë euro, mjete të tjera të domosdoshme për shlyerjen e borxhit të euroobligacionit të emetuar në vitin 2018. Me këtë hua sigurojmë kushte të favorshme për shlyerjen e detyrimeve që maturojnë në muajin janar. Huaja sipas kësaj marrëveshjeje u aprovua me afat shlyerjeje 15 vjet, duke përfshirë periudhën grejs prej 3 vitesh dhe normën e interesit prej 3.25%, e cila është vlerë më e ulët se interesi nëse do të vendosnim të emetonim euroobligacion të ri, për të cilin, interesi është mbi 6% dhe në këtë mënyrë bëhen kursime në buxhet.
Gjithashtu, kursimet bëhen edhe mbi bazën e shpenzimeve të provizioneve, të cilat për këtë hua janë rreth 50 mijë euro, përkundër shpenzimve për emetimin e euroobligacionit që arritën edhe për mbi 1 milion euro”, nënvizoi ministrja e Financave.
Ajo theksoi se është shumë e rëndësishme që huaja është me kushtet e njëjta, ashtu si dhe huaja e parë për të cilën marrëveshja u nënshkrua në muajin tetor dhe shprehu mirënjohje për Qeverinë hungareze për përkrahjen e ofruar.
“Mjetet do të jenë në dispozicion në fillim të muajit janar me qëllim që të rifinancohet në kohë euroobligacioni në fjalë. Një aspekti i rëndësishëm është se tërheqja e këtyre mjeteve nuk do të ndikojë në rritjen e nivelit të borxhit publik, përkatësisht merren para në atë vlerë në të cilën është emetuar euroobligacioni”, potencoi ministrja.
Marrëveshja u nënshkrua në përputhje me Ligjin e Huamarrjes së Republikës së Maqedonisë së Veriut me Hua nga Banka Eksport-Import e Hungarisë, Shoqëri Private me Përgjegjësi të Kufizuar sipas Marrëveshjes së Huasë për Financime Buxhetore dhe Financime për Qëllime të Përgjithshme, që është miratuar nga Kuvendi. Qeveria, duke marrë parasysh përvojën pozitive nga bashkëpunimi me Hungarinë në lidhje me kushtet e favorshme financiare gjatë sigurimit të huasë së parë për financimin buxhetor dhe financimin për qëllimeve të përgjithshme, siguroi huanë e dytë në vlerë prej 500 milionë eurove.