Ministrja e Financave, Gordana Dimitrievska Koçoska thotë se kompanitë mund të punojnë të dielave, duke u përgjigjur në pyetjen se a do të shfuqizohet masa “E diela ditë jopune”.

“Gjithmonë kam thënë se nëse ndonjë kompani dëshiron të punojë, mund ta bëjë atë por duhet që ditoret të jenë më të larta”, tha Koçoska, në emisionin “Biznes 21”.

Ministrja njoftoi se Drejtoria për të Ardhura Publike ka kryer inspektime në rrugën e “Plastikave” dhe në Bit Pazar.

“Nga ky inspektim janë mbyllur disa shitore dhe janë dënuar kompani”, tha Ministrja.

Ka sqaruar se qëllimi i kontrolleve nuk ka qenë të mbyllen shitore dhe të dënohen kompani, por të vendosen kushte korrekte për të gjitha kompanitë.

“Ato kompani të cilat janë të ndershme, punojnë, i paguajnë tatimet, nuk kanë asnjë problem me ligjin – vazhdojnë të punojnë. Fokusi ynë është te ato kompani që bëjnë keqpërdorime”, tha Dimitrieska Koçoska.