Në Korenë e Jugut njerëzit janë shqetësuar, shokuar dhe hutuar pas vendimit të presidentit Yoon Suk Yeol që e futi vendin në kaos politik, duke shpallur ligjin ushtarak dhe disa orë më vonë duke e hequr pas kundërshtimeve të mëdha. Koreanët duken në ankth pas nisjes së kësaj paqëndrueshmërie politike.
“Dukej si grushti i shtetit në Mianmar, por ndodhte këtu në Kore. Jam e shqetësuar”, tha një banore e Seulit për BBC pas ngjarjes.
Ndërkohë forcat policore morën një urdhër mobilizimi urgjent dhe nxituan nëpër stacione policore pas vendimit të Yoon Suk Yeol.
Presidenti Yoon Suk Yeol në momentin e fjalimit kur shpalli ligjin ushtarak
Por pse e shpalli presidenti ligjin ushtarak?
TË LIDHURA
Vendimi i presidentit për ligjin ushtarak shkakton krizë në Korenë e Jugut, kërkohet largimi i tij
Në vendimin e tij drastik që Yoon Suk Yeol deklaroi në një adresim publik natën vonë në televizion, përmendi “forcat antishtetërore” dhe kërcënimet nga Koreja e Veriut.
“Por shumë shpejt u bë e qartë se vendimi nuk u nxit nga kërcënimet e jashtme, por nga problemet e tij të brendshme në politikë”, shkruan BBC.
Pavarësisht vendimit, me mijëra njerëz u mblodhën para parlamentit për të protestuar. Ligjvënësit opozitarë nxituan atje që të votonin me urgjencë heqjen e kësaj mase.
Pas disa orësh, i mundur, Yoon, e hoqi urdhrin për ligjin ushtarak. Tashmë deputetët do të votojnë për të hequr presidentit pas asaj që opozita e quan si “sjellje rebele” të tij.
Parlamenti
Çfarë ndodhi?
BBC shkruan se Yoon veproi si president nën rrethim. Në fjalimin e tij mbrëmjen e së martës, ai u ndal tek përpjekjet e opozitës për të minuar qeverinë e tij përpara se të thoshte se po shpallte ligjin ushtarak për të “shtypur forcat shtetërore që kanë bërë kërdi”.
Vendimi i tij, vendosi përkohësisht ushtrinë në krye. Në parlament shkuan forca të shumta policie dhe trupa të armatosur. Në qiell shiheshin helikopterët që çonin ushtarët.
Në mediat lokale u shfaqën momentet kur trupat e maskuara dhe të armatosura hynin në godinë ndërsa pjesëtarë të stafit përpiqeshin t’i ndalnin. Ndërsa rreth orës 23:00, me orën lokale, ushtria vendosi që të ndalonte protestat dhe aktivitetin nga parlamenti dhe grupet politike, duke vendosur median nën kontrollin qeveritar.
Por politikanët e Koresë së Jugut i quajtën deklaratat e Yoon të paligjshme dhe kundër Kushtetutës. Edhe drejtuesi i partisë së tij, Partisë së Pushtetit të Popullit, i quajti veprimet e Yoon si “lëvizje të gabuara”.
Ndërsa drejtuesi i partisë më të madhe opozitare, Lee Jaye-myung, i Partisë Demokratike, u kërkoi deputetëve të tij të mblidhen në parlament për të rrëzuar vendimin e presidentit. Po ashtu u bëri thirrje qytetarëve që të protestojnë në parlament.
Më mijëra iu përgjigjën thirrjes, duke shkuar në godinën që ruhej nga qindra policë. Por pavarësisht pranisë ushtarake, tensionet nuk u përshkallëzuan në dhunë.
Ligjvënësit ishin në gjendje të kalonin pengesat, madje duke u ngjitur mbi gardh për të shkuar në parlament që të votonin. Pas orës 01:00 të mërkurën, parlamenti rrëzoi masën me 190 vota nga 300 që janë gjithsej. Deklarata e presidentit Yoon për ligjin ushtarak u shpall e pavlefshme.
Lideri i opozitës në Korenë e Jugut
Rëndësia e ligjit ushtarak
Ligji ushtarak do të thotë udhëheqje e përkohshme nga autoritetet ushtarake në një kohë emergjence, kur autoritetet civile konsiderohen të paafta për të funksionuar. Hera e fundit që u shpall në Korenë e Jugut ishte në vitin 1979 kur u vra diktatori ushtarak Park chung-hee gjatë një grushti shteti.
Që prej kur Koreja e Jugut ishte kthyer demokraci parlamentare në vitin 1987, ligji nuk ishte shpallur më kurrë. Por të martën, Yoon tërhoqi këmbëzën, duke thënë në një fjalim publik se po përpiqej të shpëtonte vendin nga “forca antishtetërore”.
Yoon, i cili ka mbajtur një qëndrim më të ashpër se paraardhësit e tij kundër Koresë së Veriut, e quajti opozitën si simpatizuese të Penianit, por pa ofruar ndonjë provë për këtë. Gjatë ligjit ushtarak, ushtrisë i jepen fuqi shtesë dhe shpesh ka një pezullim të të drejtave civile për qytetarët dhe mbrojtjen apo standardet e sundimit të ligjit. Pavarësisht se ushtria shpalli kufizime në aktivitetin politik dhe media, protestuesit e politikanët i kundërshtuan ato.
BBC shkruan se nuk kishte asnjë shenjë të kontrollit të qeverisë në median e lirë. Yonhap, transmetuesit shtetëror, por edhe media të tjera vijuan raportin normalisht.
Presioni ndaj Presidentit Yoon
Yoon u votua në krye të shtetit në Maj 2022, si konservativ. Por që prej zgjedhjeve të Prillit nuk ka pasur shumë arsye për t’u dukur bukur në sytë e popullit pasi opozita fitoi në zgjedhjet e përgjithshme. Qeveria e tij nuk ka qenë në gjendje të kalojë ligjet që ai donte dhe është bllokuar nga vetoja e opozitës liberale.
Ai ka pasur një rënie edhe në sondazhe pas disa skandaleve të publikuara këtë vit. Në të përfshihet edhe një çështje e Zonjës së Parë, e cila ka marrë një çantë Dior dhe një tjetër për manipulimet e pretenduara me tregjet.
Muajin e kaluar ai u detyrua të kërkojë falje në televizionin kombëtar, duke thënë se po krijonte një zyrë që të shikonte detyrat e Zonjës së Parë. Por ai nuk pranoi një investigim më të gjerë, diçka që është kërkuar nga opozita.
Këtë javë, opozita propozoi uljen e një projektligji të madh buxhetor të qeverisë, ndaj të cilit nuk mund të vihet veto.
Në të njëjtën kohë, opozita kërkoi të fajësohen edhe disa anëtarë të kabinetit, përfshirë prokurorë të lartë, mes tyre kreun e Agjencisë së Auditimit të Qeverisë për dështimin në hetimin e Zonjës së Parë.
Presidenti Yoon Suk Yeol
Çfarë pritet të ndodhë?
Partia Demokratike e opozitës ka nisur lëvizjet për të larguar Yoon. Parlamenti do të votojë të shtunën nëse do ta aprovojë këtë gjë apo jo. Që kërkesa e opozitës të aprovohet ka nevojë për mbështetjen e më shumë se dy të tretave të 300 deputetëve, pra të paktën 200 vota.
Pasi vendoset largimi i presidentit, mbahet një gjyq në Gjykatën Kushtetuese, një këshill me nëntë anëtarë që mbikëqyr degët e qeverisë së Koresë së Jugut. Nëse gjashtë prej gjykatësve votojnë pro largimit të Presidentit, atëherë ai hiqet nga detyra.
Nëse ndodh ky skenar, nuk do të ishte hera e parë që një president i Koresë së Jugut, shkarkohej. Në 2016-ën, presidenti Park Geun-hye u shkarkua pasi u akuzua se ndihmoi një mik që të kryente zhvatje.
Veprimet e Yoon habitën Korenë e Jugut, një shtet që e sheh veten si një demokraci në rritje, moderne dhe që ka shkuar shumë larg pas ditëve të saj në diktaturë. Shumë ekspertë i shohin këto ngjarje si sfida më e madhe e shoqërisë demokratike në dekada. Analistët pretendojnë se mund të jenë më dëmtuese për reputacionin e Koresë së Jugut si demokraci më shumë se sa trazirat e 6 Janarit në SHBA.