Durmishi-Mesec: Vazhdon bashkëpunimi i frytshëm mes Maqedonisë së Veriut dhe Sllovenisë për avancimin e tregut të punës
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, zhvilloi sot takim dypalësh me Lluka Meste, Zëvendës Kryetarin e Qeverisë dhe ministër i Punës, Familjes, Çështjeve Sociale dhe Mundësive të Barabarta të Republikës së Sllovenisë.
Ministri Durmishi, në fillim të takimit, vuri në dukje bashkëpunimin e shkëlqyer dypalësh që kanë Maqedonia e Veriut dhe Sllovenia, i cili në vazhdimësi është miqësor dhe pa çështje të hapura, i bazuar në miqësinë tradicionale, partneritetin e fortë strategjik dhe bashkëpunimin dhe mbështetjen shumëvjeçar konstruktive si në planin politik ashtu edhe në atë ekonomik.
“Në kuadër të bashkëpunimit ekonomik midis Maqedonisë së Veriut dhe Sllovenisë, kam kënaqësinë të them se në periudhën e kaluar nuk janë regjistruar vështirësi të mëdha apo çështje të hapura në lidhje me kushtet në të cilat është zhvilluar shkëmbimi tregtar. Tani, me riorganizimin e ri, Ministria e Ekonomisë dhe Punës është përqendruar në mbështetjen e kompanive vendore dhe të huaja dhe në mbështetjen e tregut të punës në vend, domethënë është një institucion në të cilin bashkohen biznesi dhe punëtorët. Ministria e Ekonomisë dhe Punës, gjashtë muaj më parë, mori përsipër kompetencat në fushën e politikave të punësimit dhe tregut të punës si kompetencë e re”, tha ministri Durmishi.
Të dy ministrat diskutuan për thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve në procesin e rishikimit të Ligjit për punësim dhe sigurime në rast të papunësisë, i cili rregullon punën e Agjencisë së punësimit, si dhe të drejtat në bazë të sigurimit në rast të papunësisë, i cili filloi në vitin 2021 si mundësi për të marrë mbështetjen profesionale nga Sllovenia për të finalizuar këtë proces.
“Duke marrë parasysh migrimin natyror në vendet e Ballkanit, veçanërisht drejt atyre që janë në BE, ne jemi gjithashtu të interesuar të lidhur marrëveshje dypalëshe me Slloveninë për ndërmjetësim për punësim, që do të zhvillohej midis dy agjencive kombëtare të punësimit, atë të Sllovenisë dhe të Maqedonisë së Veriut. Qëllimi ynë është të mundësojmë procedurë të thjeshtuar të punësimit midis dy vendeve, me mbrojtjen e njëkohshme të punëtorëve dhe të drejtave të tyre gjatë punës së përkohshme”, tha ministri Durmishi.
Të dy ministrat u dakorduan të vazhdojnë bashkëpunimin në fushën e së drejtës së punës dhe politikave të punësimit me qëllim që të jemi në rrjedhë me zhvillimet në tregun e punës, sipas shembullit të ekonomive moderne.