Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe homologu i tij francez, Emmanuel Macron, kanë zhvilluar një bisedë telefonike duke u fokusuar në marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet kryesore rajonale, veçanërisht Sirinë, transmeton Anadolu.

“Gjatë bisedës u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe Türkiye-Francë, si dhe çështjet rajonale dhe globale”, njoftoi Drejtoria e Komunikimeve e Türkiyes.

Presidenti Erdoğan shprehu miratimin e tij për “vendimin e Francës për rihapjen e ambasadës së saj në Siri”, duke e quajtur atë një hap pozitiv për angazhimin ndërkombëtar në rajon.

Gjithashtu edhe Türkiye së fundmi rihapi ambasadën e saj në kryeqytetin Damask, pas rënies së regjimit të Bashar Asadit më 8 dhjetor.

Presidenti turk dhe ai francez gjithashtu diskutuan “integritetin territorial dhe sovranitetin e Sirisë” në epokën pas Asadit, me presidentin Erdoğan që theksoi rëndësinë e mbrojtjes së tyre.

Erdoğan theksoi përpjekjet e vazhdueshme për të lehtësuar kthimin e refugjatëve sirianë në atdheun e tyre, duke bërë thirrje për “bashkëpunim ndërkombëtar” për të siguruar “kushte të qëndrueshme” për qëndrimin e tyre dhe për të mbështetur “përpjekjet jetike për rindërtimin dhe rigjallërimin” e Sirisë.