Më 11 dhjetor, Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) do të vendosë për organizatorët e Botërorit 2030 dhe 2034 dhe është e qartë si dita që mikpritëse e atij që do të mbahet pas dhjetë vitesh do të jetë Arabia Saudite.

Dhe ndërsa FIFA vendosi më herët që Kupa e Botës në vitin 2030 të mbahej në Spanjë, Portugali, Marok, Argjentinë, Paraguai dhe Uruguai, Princi saudit Mohammed bin Salman “u sigurua” që vendi i tij të merrte organizimin e Kupës së Botës në vitin 2034 me njëqind për qind siguri.

Përkatësisht, duke pasur parasysh se Botërori i ardhshëm në vitin 2026 do të mbahet në Amerikën e Veriut (SHBA, Meksikë dhe Kanada), dhe katër vjet më vonë në Evropë, Afrikë dhe Amerikën e Jugut, ishte e qartë se Kupa e Botës në vitin 2034 do të mbahej në Azi ose Oqeani.

FIFA mori gjithsej pesë kandidatura – njëra nga Brunei, Kamboxhia, Indonezia, Laosi, Malajzia, Mianmari, Filipinet, Singapori, Tajlanda dhe Vietnami, një tjetër nga Australia, Zelanda e Re dhe Indonezia, tjetra nga Kina, Hong Kongu dhe Macau, e katërta nga Kazakistani, Kirgistani dhe Uzbekistani, dhe Arabia Saudite e pavarur.

FIFA refuzoi të gjitha aplikimet përveç asaj saudite dhe menjëherë publiku botëror dyshoi se princi bin Salman kishte ndikuar në vendimin me para që vendi i tij të mbetej i vetmi kandidat.

Tashmë FIFA ka bërë të ditur pse e miratoi kandidaturën saudite dhe shpjegimi që ata dhanë sigurisht që do të shkaktojë reagime të reja në opinionin botëror.

Inspektimi i FIFA-s zbuloi se oferta e Arabisë Saudite ishte më e mira ndonjëherë, duke i dhënë asaj 419.8 nga 500 pikë të mundshme në një vlerësim që përfshin të gjitha aspektet e organizimit të ngjarjes më të madhe të futbollit në botë – nga infrastruktura te kapaciteti akomodues dhe sfidat logjistike.

Në këtë mënyrë, FIFA i dha legjitimitet vendimit të saj dhe u dërgoi një mesazh të qartë të gjithë atyre që dyshojnë në korrektësinë e tij.