Gjykata e Francës i vë byzylykun elektronik Sarcozys, ish-presidenti i Francës i dënuar për korrupsion
Gjykata Supreme e Francës e ka mbajtur në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila e kishte shpallur ish-presidentin francez, Nicolas Sarkozy, fajtor për korrupsion dhe ushtrim të ndikimit derisa ishte lider i vendit. Sarkozy, 69 vjeç, përballet me burgim, megjithatë ai pritet t’i kërkojë gjykatës ta shlyejë dënimin në shtëpi duke e mbajtur një byzylyk elektrik në dorë. Kështu ndodh në Francë në rastet e dënimeve me dy apo më pak vjet burgim.
Ai u shpall fajtor për korrupsion dhe ushtrim të ndikimit nga gjykata e Parisit më 2021 dhe nga Gjykata e Apelit më 2023, për përpjekje për t’i dhënë ryshfet një gjykatësi në këmbim të informatave për një rast ligjor në të cilin ishte përfshirë.
“Dënimet dhe vendimet janë përfundimtare”, thuhet në komunikatën të Gjykatës Supreme të mërkurën.
Sarkozy, i cili ishte president i Francës nga viti 2007 deri në vitin 2012, u tërhoq nga jeta publike në vitin 2017, megjithatë ai vazhdon të luajë një rol me ndikim në politikën konservatore franceze. Ai ishte ndër të ftuarit që morën pjesë në rihapjen e Katedrales Notre Dame në fillim të këtij muaji.
Sarkozy reagoi në X pas vendimit, ku tha: “Do t’i marr përgjegjësitë e mia dhe do të përballem me të gjitha pasojat”.