Manchester City e pësoi një tjetër humbje dje, duke e konfirmuar krizën e thellë nëpër të cilën po kalon.
“Citizens” ishin duke avancuar në derbin e qytetit me Manchester Unitedin, por “Djajtë e Kuq” në fund bënë rikthim sensacional duke e fituar lojën 2:1.
E trajneri Pep Guardiola e ka shprehur zhgënjimin e tij për humbjen duke e vlerësuar lartë paraqitjen e kundërshtarit.
Gjithashtu, e mori përgjegjësinë për humbjen dhe për krizën, duke insistuar se nuk po ndihet trajner mjaftueshëm i mirë për t’i drejtuar kampionët dhe për t’i nxjerrë ata nga kriza e thellë.
“Asnjë justifikim. Ata ishin tepër këmbëngulës. Ne nuk kemi humbur tetë ndeshje në dy sezone. Nuk mund ta mbrojmë këtë. Nuk bëhet fjalë për këtë apo atë lojtar. Rezultatet nuk janë të mira, ndeshja nuk ishte e mirë. E di situatën, e kuptoj, por ky është realiteti”, tha fillimisht Guardiola.
“Unë nuk jam mjaftueshëm i zoti. Unë jam shefi, trajneri, duhet të gjej zgjidhje dhe deri tani nuk e kam gjetur. Ky është realiteti. Ne duam të luajmë më mirë, të krijojmë shanse. Por për momentin nuk është e mundur”, përfundoi ish-trajneri i Barcelonës dhe i Bayern Munichut.