Hovenier për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit: Ne e dënojmë me aq forcë sa të jetë e mundur këtë sulm të tmerrshëm
Ambasadori amerikan në Kosovë, Xhefri Hovenier, tha se vendi i tij dënon në nivelin më të lartë sulmin “e tmerrshëm” që është kryer në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor në Zubin Potok, dhe që ndonëse është herët të dihet fajtori, në këtë fazë “nuk mund të përjashtohet asnjë grup apo shtet”.
Ai i ka bërë këto deklarata pas një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili e ka ftuar korin diplomatik në Kosovë për t’i njoftuar për më të rejat lidhur me këtë sulm që Kosova e konsideron terrorist dhe e fajëson Serbinë. Serbia, në anën tjetër, mohon të gjitha akuzat dhe ka thënë se po kryen hetimet e veta për këtë rast.
Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj. Autoritetet e Kosovës kanë ndaluar fillimisht tetë të dyshuar lidhur me këtë sulm dhe kanë kryer bastisje në pjesën veriore të vendit.
“Në emër të Shteteve të Bashkuara, dua të them atë që kemi thënë tashmë, se ne e dënojmë me aq forcë sa të jetë e mundur këtë sulm të tmerrshëm ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës, duke rrezikuar furnizimin me energji elektrike të vendit, duke rrezikuar ngrohjen, duke rrezikuar ujin e pijshëm. Shtetet e Bashkuara mbështesin një hetim gjithëpërfshirës. Ne i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë autoriteteve të Kosovës në këtë hetim. Mendojmë se është e rëndësishme që personat përgjegjës të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës”, tha Xhefri Hovenier, ambasador amerikan në Prishtinë.