Njëzet vjet pas tërmetit shkatërrues dhe cunamit që mori më shumë se 230 000 jetë në rajonin e Oqeanit Indian, mijëra njerëz u mblodhën në kryeqytetin e provincës Aceh të Indonezisë për të përkujtuar tragjedinë.

Ceremonia, e mbajtur në xhaminë ”Baiturrahman” në Banda Aceh, mblodhi së bashku të mbijetuarit, familjet e viktimave dhe anëtarët e komunitetit në një akt prekës përkujtimor.

Pjesëmarrësit përkujtuan fatkeqësinë që shkatërroi komunitete të tëra në Aceh, provinca më e goditur nga katastrofa e vitit 2004.

Me temën “Aceh Thanks the World”, përvjetori vuri në pah edhe solidaritetin e jashtëzakonshëm global të shfaqur pas cunamit.

Përfaqësues ndërkombëtarë iu bashkuan përkujtimit, duke nderuar mbështetjen e ofruar nga vendet dhe organizatat në rindërtimin e rajonit.

“Kjo është më shumë se një kujtesë e një tragjedie”, tha Zahrol Fajri, kreu i zyrës së Sheriatit në Aceh.