Udhëheqësi de fakto i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, të martën arriti një marrëveshje me ish-shefat e fraksioneve të rebelëve për t’i shpërbërë të gjitha grupet dhe për t’i bashkuar ato nën ombrellën e Ministrisë së Mbrojtjes, sipas një deklarate të administratës së re.

Kryeministri i përkohshëm, Mohammed al-Bashir, tha javën e kaluar se kjo ministri do të ristrukturohej duke përdorur ish-fraksione të rebelëve dhe ish-zyrtarë që kanë dezertuar nga ushtria e ish-presidentit të rrëzuar, Bashar al-Assad, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Pushtetarët e rinj të vendit e emëruan ministër të Mbrojtjes Murhaf Abu Qasra-n, figurë udhëheqëse në kryengritjen me të cilën u rrëzua regjimi i Assadit.

Sharaa do të ballafaqohet me detyrën e vështirë të shmangies së përleshjeve mes grupeve të shumta në Siri. Në mesin e pakicave etnike e fetare përfshihen kurdët myslimanë dhe shiitët, të cilët gjatë luftës civile janë frikësuar se ndonjë pushtet sunit në të ardhmen do të mund ta rrezikonte mënyrën e tyre të jetesës. Te pakicat bëjnë pjesë edhe të krishterët ortodoksë grekë e armenë si dhe komuniteti Druze.

Sharaa u ka thënë zyrtarëve perëndimorë që e kanë vizituar se grupi që ai e drejton, Hayat Tahrir al-Sham (HTS), nuk do të kërkojë hakmarrje kundër ish-regjimit dhe as nuk do të shtypë asnjë pakicë fetare.

Rebelët sirianë e morën kontrollin në kryeqytetin Damask më 8 dhjetor, duke e detyruar Assadin që të ikte për në Rusi pas luftës civile që zgjati më shumë se 13 vjet, duke i dhënë fund sundimit disadekadësh të familjes së tij.