Forcat izraelite sulmuan të premten spitalin “Kamal Adwan”, një nga tri institucionet shëndetësore që ndodhen në skajin verior të Rripit të Gazës.
Zyrtarët shëndetësorë kanë bërë të ditur se janë djegur pjesë të mëdha të spitalit teksa dhjetëra pacientë e qindra civilë janë detyruar të largohen, raporton Reuters.
Ministria palestineze e shëndetësisë ka njoftuar se kontakti me stafin brenda spitalit në Beit Lahiya, i cili ka qenë nën presion të madh nga forcat izraelite për javë të tëra, është ndërprerë.
“Forcat okupuese janë brenda spitalit tani dhe po e djegin atë”, tha në një deklaratë zyrtari i ministrisë Munir Al-Bursh.
Ushtria izraelite ka raportuar se është përpjekur të kufizonte dëmtimin e civilëve dhe se ka kryer evakuim të sigurt të civilëve, pacientëve dhe personelit mjekësor para operacionit por nuk ka dhënë më shumë detaje.
Ushtria pretendon se luftëtarët nga grupi palestinez Hamas, i cili më parë kontrollonte Rripin e Gazës, kishin operuar nga spitali gjatë gjithë luftës.
Youssef Abu El-Rish, zëvendësministri i Shëndetësisë i emëruar nga Hamasi, tha se forcat izraelite i kishin vënë zjarrin laboratorit të kirurgjisë dhe një depoje.
Sipas stafit mjekësor palestinez “Kamal Adwan” është sulmuar në mënyrë të vazhdueshme nga forcat izraelite që kanë sulmuar skajin verior të Rripit të Gazës për javë të tëra.