Eksperti për Ballkanin, Edward Joseph, ka thënë në një intervistë për Shërbimin maqedonas të Radios Evropa e Lirë se, në rajonin e Ballkanit ka aktorë të dëmshëm që mezi presin sinjale për përforcim të pozitës së presidentit rus, Vladimir Putin, dhe dobësim të Perëndimit, prandaj pasojat e luftës së Rusisë në Ukrainë i sheh edhe në këtë rajon.
Ai ka folur për integrimet e rajonit në Bashkimin Evropian, për luftën kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut dhe vendimet e fundit të autoriteteve amerikane për të futur zyrtarë tjerë në listë të zezë.
Z. Joseph, ish-zëvendëskryeministri i parë nga partia e Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Artan Grubi, si dhe një gjykatës tjetër, ishin personat e fundit që u futën në listën e zezë amerikane. Si e shihni efektin në Maqedoninë e Veriut nga këto sanksione të Departamentit amerikan të Shtetit?
Shikoni, në një farë mënyre, kjo është pozitive, është konstruktive, dhe është një hap i kuptueshëm. Në të njëjtën kohë, pas kaq shumë vitesh, nga ajo që quhet tranzicion, të shohësh nevojën që Shtetet e Bashkuara të bëjnë këto lëvizje, të cilat janë të nevojshme dhe të sakta natyrisht, është zhgënjyese. Pra, të kalojmë te pjesa e parë. Treguesi më i mirë që ky ishte një vendim i drejtë nga SHBA-ja për ta vendosur për fat të keq ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi në listën e zezë, është se vetë BDI-ja e tha se e respekton këtë vendim. Pra, fakti që BDI-ja e tha këtë dhe theksoi rëndësinë e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, është një hap pozitiv.
Po, këto ishin veprimet e ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara. Por, si e shihni luftën kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut?
Ju keni një qeveri relativisht të re. Ata kanë bërë disa lëvizje fillestarë, por duhet të bëjnë më shumë. Dua të theksoj këtu, dhe gjithashtu vura re reagimin e kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili gjithashtu reagoi dhe mbështeti lëvizjen e Shteteve të Bashkuara. Por sërish, shohim theksin dhe dëgjuam vërejtjen e ambasadores Angela Aggeler, e cila tha: “Hej, këto prova janë të disponueshme për të gjithë ju. Nuk janë prova speciale që i kemi vetëm ne në Shtetet e Bashkuara”.
Pra, përgjigjja ime për pyetjen tuaj është: për kryeministrin Mickoski, është se duhet të shohim Qeverinë të ndërmarrë hapa, që prokurorët të veprojnë, dhe që drejtësia, sistemi gjyqësor dhe gjyqtarët të veprojnë kundër korrupsionit. Dhe, unë do të përdor duart e mia këtu përsëri, për të gjithë spektrin politik, për të gjithë spektrin etno-nacional. Pra, nuk është vetëm selektive.
Po, korrupsioni është një çështje e rëndësishme për sa i përket integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Mosmarrëveshja me Bullgarinë po e pengon Shkupin t’i fillojë negociatat për anëtarësim në BE. Qeveria thotë se po përpiqet t’i ndryshojë kushtet për fillimin e negociatave. A është e mundur që kjo të ndodhë?
Përgjigja e shkurtër është se në fakt nuk e di. Dëgjoni, zyrtarët e BE-së dhe madje edhe ata të SHBA-së thonë se nuk mund ta ndryshoni këtë. Nuk e di përgjigjen e saktë. Natyrisht, ne e dimë që Bullgaria është në një pozicion të fortë, sepse është anëtare e BE-së. Në të njëjtën kohë, Bullgaria ndodhet në një kaos politik, krejtësisht të kundërt me Maqedoninë e Veriut, ku ju keni një situatë shumë të qartë politike.
Mund të ketë deklarata dhe garanci nga Bashkimi Evropian për këtë, për të bërë çdo përpjekje që të sigurohet se Bullgaria nuk do të vazhdojë t’i shtojë kërkesat e saj, që të mos thonë: “Mirë, i përfshitë bullgarët në Kushtetutë, tani ka edhe një kërkesë tjetër”.
Pra, ndoshta ka disa garanci politike. Po ashtu, kam qenë mbështetës i idesë, përmes shkrimeve, që Shtetet e Bashkuara mund të ndërmarrin hapa të njëanshëm për të mbrojtur identitetin maqedonas dhe për ta paralajmëruar Bullgarinë.
Pra, ju prisni që Shtetet e Bashkuara të angazhohen më aktivisht dhe të parandalojnë një mosmarrëveshje tjetër dypalëshe që të pengojë integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian?
Po, në fakt, është një pyetje e shkëlqyer. E shprehe shumë mirë. Unë pres që Shtetet e Bashkuara të ndërhyjnë kur vetë Bashkimi Evropian, për shkak të rregullave të tij, nuk mund të veprojë. Mendoj se edhe shtetet individuale të BE-së mund të ofrojnë garanci dhe sinjale të një angazhimi të fortë që, kur ky kusht të plotësohet, nuk do të tolerojnë më kërkesa të tjera. Dhe, mendoj se kjo është e drejtë dhe e saktë. Dhe, përsëri, procesi i BE-së, hapja e këtyre negociatave, është jashtëzakonisht i rëndësishëm për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.
“Pres negociata për luftën në Ukrainë por jo fundin e luftës”
A prisni që inaugurimi i Donald Trumpit të sjellë një fund të shpejtë të luftës në Ukrainë, siç ka pohuar ai gjatë fushatës së tij?
Jo. Përgjigja është jo. Nuk e pres këtë. Nëse ndodh, për sa kohë që do të ishte në kushte të favorshme për Ukrainën dhe Perëndimin, atëherë kjo do të ishte e shkëlqyer. Por, nuk besoj se Vladimir Putin është në atë pozicion tani. Mendoj se ai ende dëshiron një fitore.
Është shumë e rëndësishme që njerëzit në këtë vend ta kuptojnë këtë: Vladimir Putin e ka futur Rusinë në një katastrofë, një katastrofë që do të dëmtojë, jo vetëm Ukrainën duke vrarë kaq shumë civilë dhe ushtarë ukrainas, dhe duke shkatërruar qëllimisht kaq shumë infrastrukturë ukrainase, por edhe vetë Rusinë. Kjo është ajo që ka bërë Vladimir Putin.
Mendoj se këtë situatë e shohim edhe në Siri, me rënien e shpejtë të Assad-it, madje edhe pse me mbështetjen nga Rusia dhe Irani, por po e shohim kolapsin. Kjo është një tjetër provë e dobësisë ruse, e paaftësisë së saj për të bërë ndonjë gjë për shkak të kurthit që krijoi me sulmin e saj agresiv ndaj Ukrainës. Por, nuk pres që Donald Trump të jetë në gjendje të negociojë menjëherë një zgjidhje të drejtë për këtë luftë.
A keni ndonjë ide se sa kohë mund të zgjasë ky proces? Prisni që të fillojnë shpejt negociatat për paqe, duke folur për luftën në Ukrainë?
Po, kam. Besoj se disa nga këshilltarët kryesorë të Trumpit janë të vendosur të përpiqen të arrijnë një lloj përfundim të luftës sa më shpejt, sepse fokusi i tyre kryesor është Kina. Dhe, ata do të donin të përshpejtonin dhe të hynin në luftë. Kushdo do të dëshironte ta bënte këtë, kush do të donte të shihte vazhdimisht njerëz që vdesin? Pyetja është: në çfarë kushte? Sepse kjo ka rëndësi. Ka rëndësi që të mos i jepet Vladimir Putinit një fitore që do të ketë pasoja të mëdha për Ukrainën, Evropën, përfshirë Ballkanin, dhe gjithashtu për Kinën. Sepse nëse Kina sheh që SHBA-ja është e gatshme të tërhiqet, dhe të heqë dorë nga Ukraina, ajo do të thoshte: “Ata hoqën dorë nga Ukraina. Do të heqin dorë edhe nga Tajvani gjithashtu”.
Sa do të ndikojë ndalimi ose vazhdimi i luftës në Ukrainë në situatën e sigurisë në Ballkan? Dhe, për zgjidhjen e çështjeve të hapura në rajon.
Edhe këtu shoh pasoja të mëdha. Nuk mund ta kemi këtë në rajon. Kjo është ende e paqartë. Ka ende tensione, e shihni mes Kosovës dhe Serbisë, sulmi i fundit terrorist, që u shpall i tillë nga Kaja Kallas, kryediplomatja e BE-së. Edhe SHBA-ja gjithashtu tha se ky është një sulm kriminal dhe i tmerrshëm në Kosovë, që kishte për qëllim të shkatërronte sistemin e ujësjellësit, duke ndikuar në furnizimin me ujë dhe me energji elektrike për të gjithë Kosovën.
Nga këto lloj kërcënimesh, shohim se ka aktorë në rajon, që gjithçka që ata duan, është një sinjal që Rusia të jetë rikthyer disi – dhe SHBA-ja dhe BE-ja të dorëzohen – dhe janë dakord për një agjendë të ngjashme këtu në rajon për të marrë territore, për të ndarë kufij, për të detyruar popujt të lëvizin dhe për të minuar sovranitetin e shteteve, jo vetëm të Kosovës, por edhe të Malit të Zi, Bosnjë e Hercegovinës. Prandaj, do të ishte shumë e rrezikshme të kemi një dorëzim të tillë ndaj Putinit.
Ju thatë në një nga deklaratat tuaja se kriza mes Kosovës dhe Serbisë u sjell përfitime liderëve të të dyja palëve. A shihni një situatë të ngjashme tani në Maqedoninë e Veriut, pasi politikanë, nga blloqet maqedonase dhe shqiptare, po flasin gjithnjë e më shumë për destabilizim?
Jo, nuk i krahasoj këto dy situata. Nuk e bëj dhe nuk do ta bëja këtë. Situata brenda Maqedonisë së Veriut është krejtësisht e ndryshme nga ajo në Kosovë dhe Serbi. Dhe, më lejoni të jem shumë i qartë këtu: Serbia dhe Kosova nuk janë njësoj përgjegjëse. Ata nuk janë njësoj përgjegjës për këtë situatë. Serbia refuzon të njohë Kosovën dhe Serbia pranon status quo-në për ta mbajtur Kosovën në këtë situatë të pasigurt. Pra, Serbia ka një përgjegjësi më të madhe për situatën në Kosovë sesa Kosova. Por, natyrisht, kryeministri Kurti ka përgjegjësinë e tij. Ai, gjithashtu, duhet të tregojë se serbët e Kosovës janë në fakt qytetarë të plotë të Kosovës dhe që Qeveria në Prishtinë i respekton dhe i trajton ata si të tillë.
BDI-ja beson se iniciativa në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me Ligjin për gjuhët e kërcënon Marrëveshjen e Ohrit. Cili është komenti juaj për këtë?
E ardhmja e vetme për ta ruajtur Republikën e Maqedonisë së Veriut si një shtet sovran dhe të pavarur, si dhe trashëgiminë e maqedonasve dhe shqiptarëve që jetojnë këtu, është të ruhet ky respekt për këtë vend si një shtet i bashkuar dhe sovran. Dhe kjo është ajo që bën Marrëveshja e Ohrit. Në Marrëveshjen Kornizë të Ohrit nuk ka marrëveshje territoriale. Nuk ka kantone, nuk ka entitete.
Ne shohim Bosnjë e Hercegovinën dhe e konsiderojmë këtë si një katastrofë. Po ashtu, shihni Kosovën me tentativën për ndarje dhe situatën në veri, si dhe refuzimin për ta njohur këtë katastrofë. Maqedonia e Veriut nuk mund të përballojë të bëhet një tjetër katastrofë e tretë e Ballkanit. Marrëveshja e Ohrit është një marrëveshje e shkëlqyer. Është një marrëveshje e drejtë. Nëse ka mosmarrëveshje për të, diskutoni ato. Konsultoni miqtë, Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian, dhe arrini zgjidhje të drejta. Dhe, jam i sigurt që ato mund të arrihen.
Dhe, në çfarë mase zgjidhja e pyetjeve të hapura në Ballkan do të varet nga procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian?
Ato luajnë një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm. Imagjinoni samitin e Selanikut më 2003, ku thanë, “Ne e hapëm derën për vendet e Ballkanit” dhe që nga viti 2003, dhjetë vjet më vonë, Kroacia u bë anëtare më 2013, dhe pastaj, në thelb, asgjë. Pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor, gjashtë vende, nuk bënë asnjë përparim. Vetë BE-ja ndryshoi mendjen e saj. Vladimir Putin rihapi mundësinë për zgjerimin e BE-së duke kërcënuar të gjithë Evropën. Më në fund, Bashkimi Evropian u zgjua dhe tha, “Në të vërtetë duhet ta trajtojmë Ballkanin seriozisht dhe të krijojmë mundësi realiste për t’u anëtarësuar”.
Mali i Zi sigurisht që e ka këtë mundësi dhe nëse situata e tij politike, si ajo e brendshme ashtu edhe ajo e jashtme, zgjidhen, ka një rrugë përpara. Maqedonia e Veriut mund ta ketë këtë rrugë. Sigurisht, e ka këtë bllokadën me ndryshimet kushtetuese nga Bullgaria, por kjo është thelbësore.
Shihni Kroacinë, shihni pozitat që ka Kroacia. Ky nuk është një vend i përsosur. Edhe shumë vende anëtare më të vjetra të BE-së, asnjëra prej tyre nuk është e përsosur. Por, krahasoni situatën e Kroacisë me vendet fqinje, me Bosnjë e Hercegovinën, me Serbinë. Nuk ka absolutisht asnjë krahasim në asnjë aspekt. Kështu që avantazhet janë të qarta për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian dhe kjo pengesë me Bullgarinë, mendoj se Qeveria, duke bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara dhe kryeqendrat kryesore të Bashkimit Evropian, mund ta kapërcejë këtë.