Në 30 vjetët si psikiatre dhe psikoterapeute nëpër burgje dhe spitale psikiatrike, Gwen Adshead, në përpjekje për t’i ndihmuar, ka folur me kriminelë që kanë kryer krime të rënda. Sigurisht, kur ka filluar punën në këtë fushë, edhe psikiatrja ka supozuar se njerëzit që kanë kryer akte të dhunshme janë ndryshe nga njerëzit e tjerë. Por, ajo nuk mendon më kështu. Realiteti është shumë më kompleks sesa etiketimi i dikujt si “përbindësh”, siç e ka zbuluar vetë psikiatrja
Paralajmërim – ky artikull përmban detaje që disa lexues mund t’i konsiderojnë shqetësuese

Në mbrëmjen e 20 gushtit të vitit 1989, vëllezërit Erik dhe Lyle Menendez janë futur brenda shtëpisë së tyre në Beverly Hills, ku prindërit e tyre po shikonin filmin “The Spy Who Loved Me”, dhe i kanë qëlluar nga afër me ‘shotgun’. Ata janë dënuar me burgim të përjetshëm, dënim ky pa mundësinë e lirimit me kusht dhe, për vite të tëra, historia e tyre është venitur ngadalë nga vëmendja e publikut.

Pastaj, në shtator, ata janë rikthyer në titujt e lajmeve kryesore, pas lansimit të serive dramatike dhe dokumentarit të Netflixit rreth asaj që ka ndodhur. Tani, rasti i tyre është duke u rishikuar, për shkak të provave të reja që nuk ishin prezantuar gjatë gjyqit të parë.

Të hënën e kaluar, 28 vjet pas paraqitjes së parë në sallën e gjyqit, vëllezërit kanë mbajtur një telekonferencë dëgjimore nga burgu, gjatë të cilit tezja e tyre e ka kërkuar lirimin e vëllezërve.

“Mendoj se është koha që ata të shkojnë në shtëpi”, ka thënë ajo.

Xhaxhai i tyre, në anën tjetër, i ka quajtur vëllezërit “gjakftohtë” dhe beson se ata e kanë vendit pas grilave për tërë jetën.

Çfarë i ka bërë përshtypje një psikiatreje të forenzikës, kur ka shikuar ngjarjen, kanë qenë mënyrat e ndryshme që njerëzit e ndryshëm, madje edhe pjesëtarët e familjes, i kanë portretizuar vëllezërit. A janë vëllezërit Menendez, sipas emrit të Netflixit, me të vërtetë “përbindësha”? Apo është e mundur që ata kanë ndryshuar, siç pretendon edhe tezja e tyre?

Tezja e vëllezërve Mendendez Foto: AP

Në 30 vjetët e Gwen Adshead si psikiatre dhe psikoterapeute, duke punuar në spitalet psikiatrike dhe burgjet përgjatë Mbretërisë së Bashkuar, duke e përfshirë spitalin “Broadmoor”, ajo ka folur me qindra kriminelë që kanë kryer shkelje të tmerrshme në përpjekje për t’i ndihmuar ta marrin përgjegjësinë e aktit.

Disa njerëz mendojnë se kjo punë është e pamundur. Adsheadin e kanë pyetur: “Por sigurisht ata nuk mund të ndihmohen? A nuk janë të lindur vetë ashtu?” Implikimi është se vetëm një përbindësh jonormal mund t’i shkaktojë dëme të tmerrshme një personi tjetër – ose që vrasësit, nga Rose West e deri te Harold Shipman, Lucy Letby te Peter Sutcliffe, nuk janë disi njerëzorë.

Sigurisht, kur ka filluar punën në këtë fushë, edhe psikiatrja ka supozuar se njerëzit që kanë kryer akte të dhunshme dhe vrasëse janë ndryshe nga njerëzit e tjerë. Por, ajo nuk mendon më kështu.

Çfarë ka mësuar ajo është që shkaktarët kryesorë të mendjeve të dhunshme, nuk paraqiten në dramat e krimeve ose transkriptimet e sallës së gjyqit.

Realiteti është shumë më kompleks sesa etiketimi i dikujt si thjesht “i lig”, siç e ka zbuluar vetë psikiatrja.

Vrasës serik “i cenuar”

Në vitin 1996, pak pasi Adshead ka nisur punën në “Broadmoor” teksa përfundonte trajnimin e psikoterapisë, ajo ka filluar të punonte me një pacient me emrin Tony. Ai kishte vrarë tre burra dhe ia kishte hequr kokën njërit prej tyre.

Psikiatrja kishte lexuar disa raporte të zymta për vrasësit serikë, por në atë kohë ka pasur pak këshilla në dispozicion për mënyrën se si duhet t’i flisje njërit ose si t’i ofroje terapi. Një pjesë e saj ka menduar se a ka arsye për terapi. Si ta dinin ata që i burgosuri ishte “më mirë”?

Ai kishte kaluar 10 vjet të dënimit të tij dhe kohëve të fundit ishte therur me një brushë të dhëmbëve të mprehur nga tre të burgosur të tjerë. Ai është përpjekur ta vriste veten më pas.

Në orën e parë, ka pasur vetëm qetësi. Ai i ka mbajtur krahët e kryqëzuar dhe nuk e ka mbajtur kontaktin me sy. Kur ka shikuar lart, sytë e tij ishin aq të errët, sa dukeshin të zi. Ai vuante nga depresioni dhe ankthi.

“Mendoja se është paqësore këtu”, ka thënë ai në fund, duke e thyer qetësinë. “Është një burrë afër qelisë sime, i cili vazhdon të bërtasë gjatë natës”.

I janë dashur muaj të hapej për ankthin e vazhdueshëm. Në të, ai po ngufate një burrë të ri, i cili shndërrohej në babin e tij. Kjo ka çuar në bisedën për krimet e tij, familjen dhe si, kur ka qenë fëmijë, Tony ka përjetuar abuzim të dhunshëm nga duart e babait të tij; çka e ka shtyrë atë t’i bullizojë të tjerët.

Më vonë, Adshead ka mësuar se burri “në dhomën tjetër” që bërtiste gjatë natës ishte vetë Tony. Terapeutja i ka sugjeruar se ndoshta ai i klithte gjërat që nuk mund t’i shprehte. Tony ka vendosur duart në fytyrë, duke lëshuar psherëtimë.

“Jo… nuk dua”, ka thënë ai. “Nuk mund të jem kaq i dobët”.

Psikiatrja ka punuar me Tonyn për 18 muaj dhe ka ndierë dhembshuri dhe respekt për sinqeritetin e tij, pavarësisht se e kishte në mendje shkatërrimin që i burgosuri kishte shkaktuar. Fakti që ai e ka kërkuar këtë terapi vetë, gjithashtu ka qenë shenjë se një pjesë e tij ishte e gatshme t’i tregonte pikat e dobëta.

Kjo eksperiencë e hershme i ka mësuar psikiatres se pavarësisht historisë së tyre, nëse njerëzit – duke i përfshirë vrasësit serikë – janë në gjendje të jenë kureshtarë për mendjen e tyre, ka shanse se mund t’i jepet kuptim çrregullimit të tyre.

Njerëz të ligë vs mendje të liga

Kur vjen koha te vrasësit serikë, në përgjithësi supozohet se ata janë psikopatë, por psikiatrja nuk ishte e bindur se kjo aplikohej te Tony. Psikopatët nuk kanë gjasa të kërkojnë ndihmë, sepse nuk duan të bëjnë diçka që e cilësojnë si poshtëruese. Prandaj mbi këtë fakt të vetëm, Tony nuk do i përmbushte kriteret meqë ka kërkuar vetë terapi, sipas psikiatres.

Burg amerikan Foto: AP

Psikopatët me të cilët Adshead është takuar gjatë karrierës së saj, nuk kanë qenë as jashtëzakonisht të ndritur e as të aftë në mënyrë sociale, e aspak simpatikë. Atyre zakonisht u mungon empatia, sepse nuk mund t’i shohin ndikimet që kanë mbi të tjerët.

Dhe në kundërshtim me besimin e zakonshëm, shumë pak vrasës janë në fakt psikopatë, veçanërisht autorë të vrasjeve në shtëpi, siç janë vëllezërit Menendez.

Historia e Tonyt ka vënë në pah rolin që fatkeqësitë gjatë fëmijërisë mund të kenë në krimet e dhunshme. Vëllezërit Menendez kanë argumentuar se ishin viktima të abuzimit fizik dhe seksual nga babai i tyre, mbrojtje që është kundërshtuar në gjykatë para se të dënoheshin me burgim të përjetshëm.

Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë ka përjetuar trauma të rënda të fëmijërisë – 10-12% e njerëzve në Mbretërinë e Bashkuar sipas disa studimeve – por një numër akoma më i vogël kryen akte të dhunshme kriminale.

Kjo pastaj sjell pyetjen; çka i shtyn disa njerëz t’i përgjigjen traumës së fëmijërisë me dhunë, teksa të tjerët nuk e bëjnë? A mund të jetë fakti që këta njerëz me të vërtetë mund të jenë “përbindësha”? Apo, siç e kanë thënë disa nga pacientët e saj të kaluar: “Kam bërë gjëra të liga, por a më bën kjo të ligë?”

Nuk ka prova shkencore që njerëzit janë lindur “të ligë”. Dhe në eksperiencën e Adsheadit, nuk ka një gjë të tillë si personi i lig – në vend të kësaj, ka gjendje të liga të mendjes.

Pra, psikiatrja e fillon përgjigjen e saj, duke u thënë atyre se është e mundur që çdokush të futet në këtë gjendje shpirtërore, e cila dominohet nga emocionet e zakonshme të urrejtjes, zilisë, lakmisë dhe zemërimit.

Thellë brenda, shumica prej nesh ka kapacitetin të kryejë ligësi, por faktorët e rrezikut që i shtyjnë njerëzit të veprojnë me dhunë ekstreme janë specifikë. Ata janë të paktë, figurativisht si numrat në një kyç të biçikletës – 4. Ashtu siç duhet të rreshtohen numrat që kyçi i biçikletës të hapet, zakonisht faktorë të shumtë të rrezikut janë rreshtuar, para se të shpërthejë dhuna.

Faktorët më të zakonshëm të rrezikut janë të qenit i ri dhe mashkull (me shkallë të lartë të agresionit dhe impulsivitetit); drogat dhe alkooli, historia e familjes plot konflikte dhe neglizhencë; dhe historia e thyerjes së ligjeve. Të qenit në një gjendje mendore paranojake të shkaktuar nga sëmundja mendore, mund të jetë gjithashtu faktor rreziku, megjithëse kjo është më e rrallë.

Faktori më i rëndësishëm i rrezikut për vrasje, megjithatë, është natyra e marrëdhënies me viktimën, sidomos historia e konfliktit të marrëdhënies. Është mjaft e njohur që gratë vriten më së shpeshti nga partnerët ose anëtarët e familjes meshkuj, dhe shumica e fëmijëve vriten nga prindërit ose njerkët. Vrasja e të huajve është e rrallë dhe këto priren të jenë rastet kur autorët janë shumë të sëmurë mendërisht.

Prandaj, dy numrat e parë që rreshtohen në kyç mund të jenë sociopolitikë dhe dy të tjerët mund të jenë specifikë vetëm për autorin e veprës.

Numri i fundit që shkakton hapjen e kyçit mund të jetë diçka që ndodh mes viktimës dhe autorit – siç është ndonjë koment i rëndë, veprim që perceptohet si kërcënim, ose diçka e thjeshtë si rezultate të këqija në ndeshjen e futbollit. (Dhuna në familje rritet për 38% kur ekipi i Anglisë humb, sipas një studimi nga Universiteti Lancaster).

Kur kyçi i biçikletës bie në vend, çfarë lirohet është shpesh një valë me emocione dërrmuese, që ndikojnë në mënyrën se si i sheh personi gjërat.

Lajmi i mirë është që gjatë 20 vjetëve të fundit ka pasur rënie të shkallës së vrasjeve në Mbretërinë e Bashkuar dhe tjetër ku, e cila në përgjithësi është rezultat i ndryshimeve të disa prej faktorëve të kyçit të biçikletës.

“Ulja e shkallës së vrasjeve që nga 2004-ta në Mbretërinë e Bashkuar – e cila gjithashtu ka ndodhur në SHBA, Spanjë, Itali dhe Gjermani – ndodh pjesërisht si shkak i ndryshimeve në stilin e jetesës, siç është ulja e konsumimit të pijeve alkoolike dhe kanabisit në mesin e adoleshentëve”, ka thënë profesori Manuel Eisner, drejtor i Institutit të Kriminologjisë në Universitetin e Cambridge.

“Gjithashtu është pjesërisht edhe influenca e teknologjive, të tilla si telefonat mobilë dhe kamerat CCTV, të cilat shtojnë siguri dhe mundësi për të ndihmuar në situata rreziku”, ka shtuar ai.

Përveç kësaj, ai ia ka atribuuar rënien ndryshimeve më të gjera, duke e përfshirë forcimin e normave kulturore, të cilat e kundërshtojnë bullizmin dhe dhunën ndaj grave, vajzave dhe fëmijëve.

Dhe ndërsa ka një pakicë njerëzish, mendjet e të cilëve nuk mund të ndryshohen – që do të jenë gjithmonë rrezik – duke u kushtuar vëmendje tregimeve të shtrembëruara në shumicën e veprave penale, mund të gjejmë mënyra për t’i ndryshuar ato mendje të dhunshme për të mirë.

Empatia radikale: parandalimi i dhunës

Në vitin 2004, psikiatrja Adshead është takuar me Jackun, që kishte vrarë nënën kur ishte në të 20-at. Është gjetur se ai ka qenë duke vuajtur nga skizofrenia paranojake gjatë asaj kohe, prandaj ishte dërguar në spital për trajtim.

Më vonë, ai i është bashkuar një grupi të terapisë, të cilën e drejtonte psikiatrja në spitalin “Broadmoor”. Në sesionet e gjata një orëshe, anëtarët e grupit, të cilët kishin vrarë anëtarë të familjes sa ishin të sëmurë mendërisht, kanë folur se si do t’i shmangeshin dhunës në të ardhmen. Jacku nuk dukej se ishte i interesuar, por pas gati një viti, pak pasi një anëtar ka folur për pendimet e së kaluarës, ai ka folur befasisht.

“Dëshiroj që të mund t’i thosha nënës më fal për atë që bëra”, ka thënë ai. “E di se isha i sëmurë mendërisht, por do të doja t’i tregoja se sa keq më vjen dhe që ajo të mund të ma falte. Shpresoj ta kuptojë se sa shumë jam penduar”.

Duke e parë veten te shkelësit e tjerë, disa anëtarë të grupit ishin në gjendje të mësonin, se si ishte bërë e mundur ta mashtronin veten, duke menduar se dikush duhej të vdiste; dhe se si valët e zemërimit, turpit dhe frikës mund t’i shtyjnë ata të keqinterpretojnë veprimet dhe fjalët.

Jack dukej më i angazhuar pas asaj dite dhe shëndeti i tij mendor u përmirësua mjaftueshëm që ai të transferohej në një spital me siguri më të ulët për rehabilitim të mëtejshëm.

Terapia në grup merr kohë, por pastaj shumë nga burrat janë konsideruar mjaftueshëm të sigurt për t’u zhvendosur në objekte me siguri më të ulët për trajtim. Kjo është shenjë e përmirësimit dhe diçka që bëhet, vetëm nëse përcaktohet se rreziku për përsëritje të veprës penale është i papërfillshëm. Më e rëndësishmja, ata gjithashtu mësuan ta marrin përgjegjësinë.

Jacku e ka ndihmuar Adsheadin të kuptojë se njerëzit të cilët vrasin nuk janë persona të pamend, që janë të lindur në atë mënyrë. Ai ka qenë burrë i zakonshëm, që ka bërë një gjë jashtë normales, siç kanë bërë shumë të tjerë.

Asnjë nga këto nuk është justifikim i dhunës – dhe çdo krim i dhunshëm është tragjedi për të gjithë të përfshirët – por klasifikimi i njerëzve si “përbindësha” nuk është i dobishëm. Është thjesht mënyrë për t’u ballafaquar me zemërimin dhe frikën. Dhe humbasim një shans për ta reduktuar dhe parandaluar dhunën, nëse i cilësojmë në atë mënyrë të gjithë ata që kanë vrarë ose abuzuar.

Duhet një lloj ndjeshmërie radikale për t’u ulur me një burrë që i ka prerë kokën partneres së tij, ose para një gruaje që e ka therur me thikë mikun. Por, përpjekja për t’i kuptuar dhe për të fituar njohuri të reja, kërkon që ne ta vendosim veten në trupin e tyre dhe të shohim atë që ata shohin. Dhe kjo është ajo që përfundimisht çon në ndryshim.