Bashkimi Demokratik për Integrim dënon ashpër, sic thuhet në reagim, kapjen sistematike të institucioneve të drejtësisë nga kjo qeveri dhe konformizmin e disa gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë vënë në shërbim të politikës.

BDI përmes një reagimi I ka dërguar mesazhe Kryeministrit Mickoski. Në vend të përmirësimit të sundimit të ligjit, sipas BDI-së, Mickoski e ka shndërruar atë në një karikaturë të drejtësisë, kurse për vetëm gjashtë muaj, sic thuhet në reagim, minohen themelet e besimit qytetar duke futur një drejtësi selektive që shërben vetëm interesave politike të Mickoskit.

“Vendimi i djeshëm i Prokurorisë për të liruar ata që u shpallën fajtorë për përpjekjen për grusht shteti më 27 prill, për të parandaluar zgjedhjen e Kryetarit të parë shqiptar të Kuvendit, me pranimin publik të vetë prokurorëve se atje ka drejtësi selektive, nën presion politik dhe e gjithë kjo e bërë në një ditë feste me shpresën se do të kalojë pa u vërejtur nga bashkësia ndërkombëtare, është një pasqyrim i qartë i kësaj kapje” – thonë nga BDI.

Integristët, përmes komunikatës, I drejtohen edhe me disa pyetje Kryeministrit Mickoski. Spikasin akuzat në adresë të krerëve të VLEN-it, Izet Mexhitit dhe Arben Taravarit.

“Poashtu i drejtohemi Kryeministrit Mickoski: Çfarë ndodhi me “sheshin Tenderbeg,” siç e quante ai sheshin Skënderbeu për të cilin dikur akuzonte Izet Mexhitin? Çfarë ndodhi me hetimin për 30 ndërtesat që u ndërtuan si “Titanikë arkitektonikë,” por që u antidatuan kinse të ndërtuara në vitin 2011, kur ishte në fuqi ligji për legalizimin? Kryeministër, ku janë hetimet për ministrin e “vdekjes,” siç e quanit ju Arben Taravarin që kishte marrë sipas jush dhuratë dy shtëpi për t’u bërë ministër në qeverinë tonë?” – thonë nga BDI.

Bashkimi Demokratik për Integrim, do të vazhdojë të denoncojë dhe të luftojë, sic thuhet në reagim, këtë përpjekje të turpshme për të kapur shtetin dhe drejtësinë.