HYRJE
Pas rrëzimit të diktatorit famëkeq sirian Bashar al-Assad, doli në sipërfaqe një nga mizoritë e njohura nga larg, por të papara nga afër, burgjet kampe. Burgu Saydnaya apo i quajtur me të drejtë “Kasaphanja njerëzore” më tronditi thellë emocionalisht. “Vallë, i bëka njeriu-njeriut mizori të tilla?”-ishte pyetja që më shqetësonte vazhdimisht dhe me shkaktonte turbullira e pagjumësi. Pastaj shikoja fotografitë dhe po, ishin të vërteta! O Zot! Njëmend ishin të vërteta… Dhe pastaj i mendoja fëmijët e mi, botën ku po jetojmë, dhe mornicat më mbulonin trupin. Lexoja më tepër, tmerrohesha më tepër! Rrënqethësha! Duhej të bëja diçka. Nuk me dukej normale që askush nuk po fliste për këtë, as mediat lokale, as OJQ-të, askush fare! Dhe vendosa të marr artikuj, dëshmi, nga organizata ndërkombëtare dhe agjenci të besueshme botërore lajmesh rreth këtij burgu-kamp dhe më e shumta që mund të bëja ishte t’i përktheja në gjuhën tonë shqipe, që populli ynë t’i kuptoj dhe lexoj në gjuhën e tij tmerret e një populli, tmerret e qënive njerëzore të shkaktuara nga njeriu ndaj njeriut, dhe ndoshta disa mbushen mend.
©Përkthyesi: Arben Desku