Kabllot e internetit që lidhin Suedinë dhe Finlandën janë këputur dhe autoritetet po e trajtojnë incidentin si një akt sabotimi.
Ministrja e Komunikimit e Finlandës, Lulu Ranne shkroi në X: “Ne e marrim situatën seriozisht”.
Dëmi u zbulua mëngjesin e sotëm dhe duhet të ketë ndodhur në tokë në Finlandë, transmeton Telegrafi.
Autoriteti suedez i Postës dhe Telekomunikacionit (PTS), Agjencia Norvegjeze për Sigurinë dhe Përgatitjen në Komunitet (MSB), Forcat e Armatosura suedeze dhe qeveria duhet të jenë informuar për incidentin.
GlobalConnect, i cili zotëron kabllot, tha se kabllot ishin këputur në dy pika në dy linja të ndryshme, duke prekur mbi 6,000 klientë dhe 100 biznese në Finlandë.
“Ndërprerja e parë e fibrave është rregulluar gjatë natës dhe ne aktualisht po rregullojmë të dytën. Shumica e atyre që humbën internetin e kanë rikthyer atë. Kanë mbetur pak klientë, por ne përpiqemi ta zgjidhim atë gjatë ditës”, u tha në një kumtesë.
Forcat e Armatosura suedeze dhe Agjencia e Kontigjencave Civile janë informuar.
Duke folur muajin e kaluar, Ranne tha: “Ne po përjetojmë ndërprerje, akte sabotimi, lloje të ndryshme dëmtimesh dhe migrim të instrumentalizuar. Kjo krijon një ndjenjë të përgjithshme pasigurie dhe paqartësie për atë që është e vërtetë dhe çfarë jo”.
“Megjithatë, bazuar në informacionet nga inteligjenca civile dhe ushtarake, ne kemi indikacione të qarta që tregojnë për Rusinë”, shtoi ajo.
Gjithashtu, muajin e kaluar, dyshimi ra në anijen kineze Yi Peng 3 pasi u dëmtuan kabllot nënujore në Baltik.