Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk do të paraqitet sot pranë Prokurorisë Speciale për intervistim si dëshmitar.

Kjo është bërë e ditur nga zëdhënësja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Liridona Kozmaqi, e cila tha se nga Kabineti i Kryeministrit të Kosovës janë njoftuar se Albin Kurti ndodhet në udhëtim jashtë vendit, dhe e kishte të pamundur paraqitjen sot për intervistim.

Ajo gjithashtu theksoi se nuk është caktuar një datë e tjetër e radhës për intervistimin e Kryeministrit, por që PRSK do të përgatit edhe një ftesë tjetër.

“Siç jeni në dijeni, Prokuroria Speciale përmes thirrjes së rregullt e ka ftuar kryeministrin Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit në një rast penal ku kjo Prokurori e ka nën hetim. Sot nga kabineti i kryeministrit Kurti, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është informuar se kryeministri Kurti gjendet në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet sot në Prokurorinë Speciale. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, konform legjislacionit në fuqi do ta përgatis një ftesë tjetër për kryeministrin Kurti për një datë tjetër”, ka thënë Kozmaqi para gazetarëve.

Paraqitjen e fundit në publik, Kryeministri Kurti e bëri mbrëmë nga Lubjana, ku atje kishte marrë pjesë në Filharmoninë e Sllovenisë në të cilën performuan Filharmonia e Kosovës. Për këtë i pari i qeverisë shkroi në Facebook, në mesnatë, ndërsa theksoi se kishte takuar edhe diplomatë të shumtë, në një organizim të Ambasadës së Kosovës atje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mori thirrjen për intervistim si dëshmitar nga Prokuroria Speciale të enjten e 12 dhjetori, për t’u paraqitur sot pranë këtij institucione në ora 09:30. Madje në thirrjen e Prokurorisë ishte qartësuar se në rast të mosparaqitjes të paarsyeshme, do ta detyrojnë atë të paraqitet dhe do të ketë gjobë 250 euro.

Lidhur me thirrjen që Qeveria e Kosovës kishte pranuar të enjten e kaluar, zëdhënësi i saj, Përparim Kryeziu kur dhe e publikoi atë në llogarinë e tij në Facebook, e cilësoi këtë thirrje të Prokurorisë Speciale si tentim ndikimi në rezultatin zgjedhor 2025.

Kurti, i ftuar në cilësinë e dëshmitarit, do të intervisohet për skandalin me Rezervat Shtetërore dhe se vepra penale për të cilën është ftuar hynë tek ato të korrupsionit zyrtar, saktësisht Neni 414 “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Kryeministri Kurti i ftuar në cilësinë e dëshmitarit, do të intervisohet për skandalin me Rezervat Shtetërore dhe se vepra penale për të cilën është ftuar hynë tek ato të korrupsionit zyrtar, saktësisht Neni 414 “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Për skandalin me rezervat shtetëtore, në gushtin e vitit të kaluar kishte pasur edhe të arrestuar, ndërsa për intervistim ishte ftuar edhe Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, e cila në cilësinë e të pandehurës, ishte mbrojtur në heshtje. /Reporteri.net