Kryeministri Albin Kurti pas takimit me shefen e re të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka thënë se nga ajo ka kërkuar që shteti i Serbisë ta dorëzojë terroristin Milan Radoiçiq tek autoritetet e Kosovës si organizatori i sulmit në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar.
“Ia theksova që kemi pasur rritje ekonomike dhe progres demokratik të paparë në Kosovën e pavarur dhe njëkohësisht kemi menaxhuar sfidat më të rënda të sigurisë, kërcënimet më serioze të cilat rezultuan me vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku. Kryekrimineli i bandës që kreu këtë mbahet i lirë dhe mbështetet nga Serbia. Ne kërkuam, si në çdo takim tjetër, dorëzimin e Radoiçiqit tek autoritetet e Kosovës pasi Prokuroria tani ka aktakuzë prej 160 faqësh dhe grupin e tij prej mbi 40 personave”, ka thënë Kurti.