Kryeministri Albin Kurti ka thënë se përderisa Milan Radoiçiqi vazhdon të jetë i lirë në Serbi do të jetë kërcënim për Kosovën, në një takim në Bruksel të mërkurën me ndihmëssekretarin për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James O’Brien.

Gjatë këtij takimi, sipas njoftimit, kryeministri theksoi rëndësinë e arrestimit dhe ekstradimit të kryekriminelit dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq, “për të cilin Prokuroria tashmë ka një aktakuzë prej 160 faqesh për të dhe grupin e tij, dhe i cili vazhdon të paraqesë rrezik për sigurinë e vendit dhe të rajonit për sa kohë që endet i lirë në Serbi dhe ka mbështetjen e presidentit Aleksandar Vuçiq dhe aparatit shtetëror atje”.

Gjithashtu, Kurti e njoftoi O’Brienin edhe për sulmin e fundit terrorist në Ibër-Lepenc.

“Temë e diskutimit ishin marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet aktuale me interes të përbashkët, me theks te sulmi terrorist i 29 nëntorit ndaj infrastrukturës kritike të Republikës së Kosovës. Kryeministri ndau me z.O’Brien detajet e sulmit të fundit terrorist mbi infrastrukturën kritike, përkatësisht në kanalin e Ibër-Lepencit si dhe reagimin e institucioneve shtetërore për sanimin e dëmit dhe sigurimin e furnizimit me shërbime esenciale. Sulmi i 29 nëntorit, ishte sulm mbi popullsinë civile meqë përmes tij u rrezikua që më shumë se gjysma e popullatës së vendit të mbeten pa energji elektrike dhe pa ujë. Ndërkohë që hetimet për sulmin e fundit po vazhdojnë, kryeministri nënvizoi që në mesin e konfiskimeve të bëra në lidhje me rastin, krahas armatimit dhe municioneve, janë gjetur edhe 74 emblema ushtarake, prej të cilave 20 janë të njësive të ndryshme ushtarake ruse, përveç atyre serbe”, thuhet në njoftim.

Kurti ia theksoi O’Brienit se sulmi në Ibër-Lepenc më 29 nëntor ishte i treti në tri ditë, pas atyre në Zveçan.

“Sulmi i të premtes së 29 nëntorit ishte sulmi i tretë në tri ditë që për cak kishin institucionet e vendit. Paraprakisht target ishin Stacioni i Policisë në Zveçan dhe ndërtesa e Kuvendit të Komunës së Zveçanit. Gjithashtu, ai përbën sulmin e dytë në shkallë të madhe ndaj sigurisë kombëtare, pas sulmit paramilitar më 24 shtator 2023 në Banjskë, që për qëllim kishte aneksimin e veriut të vendit dhe ku mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës, dhe sulmin më të madh dhe më serioz ndaj infrastrukturës kritike, që për qëllim kishte ndërprerjen apo vështirësimin e shërbimeve esenciale, si rryma, uji dhe telekomunikimi, dhe çrregullimin e jetës shoqërore, qytetare, ekonomike dhe të institucioneve”, vijon njoftimi.

Kurti falënderoi O’Brienin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen ndaj Kosovës në hetimin e sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit dhe sjelljes së përgjegjësve para drejtësisë.