Anëtarësimi në BE është alternativa më e mirë, si për Maqedoninë e Veriut ashtu edhe për rajonin në këtë moment në një kontekst të ri gjeopolitik, theksoi në takimin e shtatë të konferencës Plenare të Konvertës Nacionale për Bashkimin Europian në Maqedoninë e Veriut (NKEU-MK), Mirosllav Lajçak, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë dhe për çështjet rajonale në Ballkanin Perëndimor. Nga ku sipas tij, gjeopolitika krijoi mundësi të reja për zgjerimin e BE-së , por që siç tha ai, këto dritare nuk mbeten përgjithmonë të hapura. Ai kujtoi edhe fjalët e Komisioneres së re Europiane për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Marta Kos, e cila tha se negociatat kërkojnë përpjekje intensive nga e gjithë shoqëria,dhe se duhet të jetë një projekt kombëtar në të cilin bartës duhet të jenë të gjithë.

“Nuk po them se BE-ja është perfekte, por do të doja të them disa fjalë për rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut. Kur e nisët këtë proces, mendova se do të përparoni shumë, por fatkeqësisht nuk jeni as afër. Gjithçka që u përmend duhet të përmbushet. Fakti është se parametrat janë vendosur dhe nuk do të them asgjë të re, që të mos e humbisni këtë mundësi dhe të rrezikoni të neglizhoheni”, Lajçak.

Kryetari i Komisionit për Çështje Europiane i Kuvendit të Maqedonisë, Antonio Milloshoski, tha se sot kemi Serbinë dhe Malin e Zi, të cilët janë duke negociuar 11 apo 12 vjet, dhe ende nuk janë anëtarë të BE-së, dhe kjo, sipas tij, tregon se zgjerimi brenda BE-së, vitet e fundit, nuk është në krye të agjendës për disa shtete anëtare.

“Ne nuk jemi perfekt si rajon dhe si vend kandidat, por është e sigurt se e kemi merituar që shumë kohë më parë t’i fillojmë negociatat për anëtarësim në BE. Por, gjithmonë ka pasur një arsyetim të mirë ose më pak të mirë për të mos filluar ato negociata”, tha Milloshoski.

Në anën tjetër, Venko Filipçe, kryetar i Këshillit Kombëtar për Integrime Europiane, theksoi se faktorët e tjerë politikë e shohin Ballkanin Perëndimor të integruar plotësisht në BE.

“Është e qartë se si duhet të ecim përpara për të hapur Klasterin 1 më kompleks dhe duhet të jetë vendimi i faktorëve politikë që të kërkohen ndryshime kushtetuese. Mendoj se çdo gjë tjetër është humbje kohe e panevojshme”, tha Filipçe.

Sipas Filipçes, plani i rritjes i BE-së është saktësisht i dimensionuar me agjendën evropiane, që është pikërisht ajo që duhet të bëjnë vendet kandidate.