Ligji për Arsim, vazhdon debati në Kuvend/ Fronti Europian me kritika të reja, propozon 60 amendamente
Tërheqja e ligjit për Arsim të Mesëm nga procedura parlamentare nuk ka mbyllur debatin në Kuvend.
Fronti Europian vazhdon të hedhë akuza në drejtim të Qeverisë dhe për të ndryshuar disa pika, ka propozuar afërsisht 60 amendamente.
Deputeti, Salih Murat, thotë se MASH duhet ta tërheq në tërësi ligjin për arsim, siç e tërhoqi pikën për Arsim të Mesëm.
“Është interesante, tërhiqet ligji për arsim të mesëm, por mbesin në procedurë propozim ligjet për ndryshim dhe plotësim në arsim që lidhen ngushtë me ligjin për arsim të mesëm. Problemet me të cilat përballeshim tek propozim ligji për arsim të mesëm i shohim edhe tek tre propozim ligjet tjera për arsim, ne si Front Europian themi se ligji në fjalë është shumë i rëndësishëm për fëmijët tanë dhe ardhmërinë e vendit sepse nga këtu fillon gjithçka, prandaj, Fronti Europian dëshiron që përmes amendamenteve të përmirësojë cilësinë e propozim ligjeve për arsim dhe shkencë” – tha Salih Murat.
Kritika për nenin 10 të ligjit për arsim kishte edhe deputetja e Frontit Europian, Rina Ajdari.
Sipas saj, amendamenti i përgatitur nga koalicioni opozitar synon të krijojë hapësirë që edhe autorë të jashtëm, me përvojë dhe ekspertizë të dëshmuar, të kontribuojnë në hartimin e teksteve shkollore për nxënësit shqiptarë apo te komuniteteve tjera
“Autorët shqiptarë nga jasht vendit, të cilët kanë përvojë të pasur dhe një njohuri për gjuhën, kulturën dhe traditat e bashkësive mund të sjellin një vlerë të shtuar në përmbajtjen e teksteve, kjo është veçanërisht e rëndësishme për të siguruar që tekstet shkollore të jenë sa më cilësore dhe të përshtatura për nevojat e nxënësve që i përkasin bashkësive të tjera etnike dhe gjuhësore në vendin tonë” – tha Rina Ajdari.
Amandamenti i Ajdarit nuk u pranua nga ana e Ministres së Arsimit, Vesna Janevska, e më pas pasoi edhe një reagim përmes të cilit Ajdari thotë se me ligjin që pritet të hyjë në fuqi, rrezikohet përdorimi i Abetares së unifikuar në gjuhën shqipe por edhe librave të historisë.
Amendamente për ligjin e Arsimit kishin përgatitur edhe deputetët e VLEN-it, por të njejtat jané tërhequr.