Komuna e Gostivarit sot mbajti debat publik për hartimin e buxhetit për vitin 2025. Propozim-Buxheti i Komunës së Gostivarit planifikohet të jetë 27 milionë euro, që është më i madhi në historinë e komunës.

“Sot kemi organizuar një debat publik në lidhje me buxhetin e Komunës së Gostivarit për vitin 2025, debat në të cilin të gjithë qytetarët, organizatat joqeveritare dhe të interesuarit mund të vinë dhe t’i shpalosin sugjerimet dhe idetë e tyre në lidhje me planifikimin e buxhetit së Komunës së Gostivarit”, u shpreh Limani.

Kryetari i Gostivarit theksoi se buxheti për vitin e ardhshëm është rreth 27 milionë euro, më i madhi deri më tani.

“Këtë vit, buxheti i komunës është rreth 27 milionë euro, buxheti më i madh deri më tani dhe shpresojmë se do të jetë një buxhet që do të sigurojë zhvillim të qytetit tonë, siguron mjete për ambientin jetësor, për zhvillimin e sportit dhe për të gjitha fushat tjera me të vetmin qëllim që jetën e qytetarëve të Gostivarit ta bëjmë më të mirë”, u shpreh Limani.