“Nga provat e mbledhura, ka një dyshim të arsyeshëm se dy bashkëkryerësit, si persona përgjegjës në SH.A. Shoqëria për Organizimin e Lojërave të Fatit “Lotaria e Shtetit” të RMV, gjatë vitit 2023, përmes ushtrimit të kompetencave dhe detyrave të tyre, kanë marrë pjesë në veprime që kanë shkaktuar dëm në shoqërinë aksionare, me qëllim që të siguronin përfitime të paligjshme për një person tjetër, që vlerësohen në një shumël të konsiderueshme prej 501.319.119 denarë nga buxheti i shoqërisë aksionare. I dyshuari i parë ka kryer veprën në cilësinë e presidentit të Bordit Drejtues – Drejtor i Përgjithshëm i “Lotarisë së Shtetit”, ndërsa i dyshuari i dytë ka kryer veprime në cilësinë e personit përgjegjës – kryesues i një mbledhjeje të Qeverisë, e mbajtur në cilësinë e Kuvendit të Shoqërisë Aksionare për Organizimin e Lojërave të Fatit “Lotaria e Shtetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut

Katër të dyshuarit e tjerë kanë qenë president dhe anëtarë të një komisioni për dy thirrje publike të ndara, për të cilat ka dyshime se kanë abuzuar me kompetencat dhe detyrat e tyre dhe kanë realizuar thirrjet publike, megjithëse kanë ditur se një procedurë e tillë nuk duhej të ishte realizuar në rastet e caktuara, pasi nuk ishin plotësuar kushtet ligjore. Prokuroria më vonë ka paralajmëruar informacione më të detajuara dhe një përshkrim të veprave penale të të dyshuarve”, njoftoi Prokuroria e Shkupit.