Gjithçka është gati për fillimin nga nesër të masës së shportës së Vitit të Ri e cila duhet t’u sjellë qytetarëve produkte me çmime më të ulëta prej së paku 10 për qind, siguron Marjan Risteski, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Punës. Numri i produkteve të përfshira në “Shportën e Vitit të Ri” pritet të arrijë në 1000.

“Me fillimin e masës ‘Shporta e Vitit të Ri’ presim që numri i produkteve të shkojë mbi 1000. Ky veprim me përgjegjësi shoqërore vjen nga kompanitë dhe marketet dhe ne si ministri dhe Qeveri e kemi mbështetur. Janë të përfshira mbi 80 kompani”, ka thënë Risteski sot në Prilep.

Ai u bëri thirrje qytetarëve dhe sindikatave që me inspektoratin të bëjnë monitorim të çmimeve të produkteve dhe të paraqesin çdo parregullsi.

“U bëj thirrje qytetarëve, sindikatave, së bashku me inspektoratin e tregut i cili do të jetë vazhdimisht në terren, të monitorojnë dhe të sigurohen që produktet në shportë janë ulur të paktën 10 për qind nga çmimi më i ulët i një muaji më parë para se të fillon aksioni. Pra, nuk besoj se ka ndonjë lojë, sepse kompanitë dhe marketet e kanë ofruar këtë masë dhe nuk besoj se do të dalin nga fjala.

Shporta e Vitit të Ri përfshin mish dhe produkte të mishit, qumësht dhe produkte të qumështit, pije alkoolike dhe joalkoolike, peshk, produkte të bukës, makarona, ëmbëlsira, fruta, perime. Këto produkte të përfshira në masë do të shiten në mbi 300 pika në të gjitha qytetet e vendit.

“Presim që qytetarët këto festa të Vitit të Ri t’i kalojnë me çmime më të ulëta dhe të kursejnë në buxhetin shtëpiak”, thotë ai.

Risteski sqaron se jashtë shportës kanë mbetur vaji, sheqeri, kafeja dhe kakaoja në mënyrë që kompanitë të mos kenë dëme të mëdha.

“Këto produkte nuk i kemi përfshirë në masë sepse nuk kemi dashur të dëmtojmë kompanitë që varen nga tregu vendas, por edhe nga çmimet e lëndëve të para në bursat botërore të cilat aktualisht janë shumë të larta. Por ka edhe kompani përgjegjëse që kanë lejuar zbritje të caktuara ndaj këtyre produkteve”, thekson zëvendësministri.

Masa do të zgjasë nga 15 dhjetori deri më 15 janar.