Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, në emisionin “Rrjedha” të Rron Gjinovcit në Kosovë, ka bërë të ditur planin e qeverisë për ndarjen e buxhetit për komunat shqiptare dhe ato maqedonase, duke theksuar balancimin e investimeve.
“Kjo qeveri do të ndajë 1 miliardë euro për komunat, ku 30 përqindëshi do të shkojë për komunat shqiptare, pra 300 milionë euro do të adresohen për problemet reale të qytetarëve shqiptarë. Në këtë gjysmë viti, janë ndarë 100 milionë euro për komunat në përgjithësi, ku rreth 30 milionë euro i kanë takuar komunave shqiptare,” theksoi Mexhiti.
Ai shtoi se përveç kësaj shume, janë ndarë edhe fonde shtesë për projekte të rëndësishme: “35 milionë euro për ndërtimin e Universitetit ‘Nënë Tereza’ në Shkup dhe 20 milionë euro për sheshin ‘Skënderbe’. Gjithsej, janë mbi 80 milionë euro buxhet të ndarë, që nënkupton një trajtim të barabartë me komunat maqedonase.”
Mexhiti vlerësoi se ky është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e infrastrukturës dhe cilësisë së jetës në komunat shqiptare, duke forcuar barazinë buxhetore në Maqedoninë e Veriut.