Kryeministri Hristijan Mickoski tha sot se nesër në Bruksel do të shkojë për të prezantuar pozicionit e njëjta që ka qeveria e vendit sa i përket kontesitit me Bullgarinë, përkatësisht për zhbllokimin e procesit të anëtarësimit. Megjithatë, ai pret që përbërja e re e Komisionit Evropian, veç më të ketë informata shtesë nga vizita e tij e fundit në Bruksel. Ai tha se, zgjidhja aktuale është vetëm për të zhbllokuar hapin e parë, ndërsa qeveria kërkon zgjidhje më afatgjate.
Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së
“Nga ato takime duhet të sillet diçka e mirë edhe për qytetarët e shteteve me të cilat realizoni takime bilaterale. Kështu që, pas atij takimi me komesaren Kos, me kryetarin e Këshillit Evropian Kosta, mendoj se, e rrumbullakësojmë këtë spektër të takimeve bilaterale dhe mendoj se tashmë të gjithë do ta dinë se, cilat janë argumentet tona, cilat janë frikat tona, pse jemi të shqetësuar dhe kështu me radhë dhe se jemi të gatshëm të gjejmë zgjidhje e cila nuk është zgjidhje vetëm për hapin e parë, por zgjidhje që do të na çojë deri në fund”.
Pyetur se çfarë mund të pritet në drejtim të arritjes së një marrëveshje me Bullgarinë, duke pasur parasysh se aty ende nuk është formuar qeveria, Mickoski tha se, duhet të punojmë me të gjithë partnerët pasi, nuk dihet se kur mund të ketë qeveri politike dhe në Sofje dhe sa mund të zgjasë ajo.
Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së
“Nëse ky është problem bilateral me BE-në, sepse ashtu na u tha një periudhë, ne jemi të gatshëm të bisedojmë me BE-në dhe ne do të bisedojmë me të gjithë në BE dhe do t’i argumentojmë pozicionet tona, do të luftojmë, sepse kjo është betejë për gjeneratat e ardhshme, nuk është betejë mbijetesë politike të kësaj qeverie, duhet ta fitojmë këtë betejë, do të japim gjithçka që ta fitojmë, por nuk e di a do ta fitojmë”.
Kujtojmë se, një delegacion nga Maqedonia e Veriut, i kryesuar nga kryeministri i vendit, do të marrë pjesë në samitin e rregullt të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, që mbahet të martën. Në kuadër të këtij samiti do të ketë takime bilaterale me përfaqësues të lartë të BE-së dhe të vendeve anëtare.