Kryetari i Qeverisë Hristijan Mickoski, gjatë pjesëmarrjes në emisionin „Click Plus” në TV21, duke folur për shfuqizimin e Balancuesit, theksoi se në këtë temë po manipulohet, se i njëjti ishte problem i VMRO-DPMNE-së, ndërsa realiteti është se raporti i BE-së konstaton keqpërdorimin e tij dhe duhet të zëvendësohet me diçka funksionale.

„Problemi është në raportin e skriningut të BE-së. Ata konstatojnë se Balancuesi është keqpërdorur, se i ka skaduar e ashtuquajtura vlerë e përdorimit dhe duhet të zëvendësohet me diçka që do të jetë me vlerë. Ne nuk qëndrojmë dhe nuk presim, por punojnë grupe që të hartojnë ligj për përfaqësim të drejtë, i cili do të jetë kushtetues dhe shumë shpejt do të vihet para deputetëve në Kuvend,” theksoi Mickoski dhe shtoi:

„Mos mendoni se ne duam të jemi një Qeveri e cila do të kalërojë mbi frustrimin që do të krijohet tek qytetarët.”

Ai gjithashtu theksoi se kjo Qeveri, me shpërndarjen e drejtë të 250 milionë euro për komunat, pa bërë dallim mbi baza etnike apo politike, siç bënte qeveria e mëparshme, në mënyrë më drejtpërdrejte tregoi se prioriteti i saj janë të gjithë qytetarët që jetojnë në territorin e gjithë vendit.

„Nuk ka deklaratë në të cilën nuk kam thënë se interesi im është i gjithë territori prej pothuajse 26 mijë kilometra katrorë i të gjithë shtetit dhe këtë e bëj me vepra. Ja si njeriu i parë i Qeverisë ato 250 milionë euro të cilat duhet të shkojnë nëpër komuna ndahen sipas të njëjtit kriter si për Shtipin dhe Tetovën, për Karbincin dhe Bogovinën, për Radovishin dhe Strumicën, për Gostivarin dhe Kërçovën. Dhe shkojmë një hap më tej, jo vetëm që nuk i ndajmë komunat dhe projektet mbi baza etnike, por u themi krerëve të komunave, zotërinj kryetarë, bëni projekte, ashtu siç do t’i bëni, ashtu ne do t’i financojmë,” theksoi Mickoski dhe shtoi:

„Nuk bëmë dallime se a janë ato krerë të komunave nga BDI-ja, nga VLEN-i, VMRO-DPMNE-ja apo LSDM-ja. Të gjithë fituan. Të gjithë ata që dorëzuan projekte, fituan projekte të financuara nga shteti dhe ne këtë e dëshmuam në mënyrë të drejtpërdrejtë”.