„Ky vit 2024 ishte vit i stabilizimit, gjegjësisht rënia e lirë që na ndodhte ndaloi dhe ngadalë filluam të kthehemi në gjendje zero, përkatësisht pres që kjo gjendje zero të ndodhë diku në pranverën e vitit të ardhshëm. Edhe pse disa indikatorë dhe parametra thonë se tani kemi një gjendje të tillë në shumë fusha, madje edhe se gjendja është përpara atyre viteve të krizës 2019, 2020, 2021, se këto muaj indikatorët e parë shfaqen si të tillë“, tha Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në seancën e sotme të Kuvendit për pyetje të deputetëve.

Kryeministri Mickoski theksoi se në këtë vit që po kalon, pritet niveli historikisht më i lartë i investimeve të huaja, më shumë se një miliardë euro dhe siç tha ai, me këtë Maqedonia do të jetë në tre ekonomitë kryesore në Evropë për kokë banori.

„Këtë vit që po kalon, për këto disa ditë të fundit, pres një nivel historikisht më të lartë të investimeve të huaja, më shumë se një miliardë euro. Me këtë do të jemi në tre ekonomitë kryesore në Evropë për kokë banori kur bëhet fjalë për tërheqjen e investimeve të huaja“, tha ai.

Kryeministri Mickoski paralajmëroi 15 investime të reja të huaja, nga të cilat për njërin tha se është me vlerë prej 360 milionë euro, me 500 vende të reja pune të paguara mirë.

„Kemi të reja, por kemi edhe të tilla që ishin harruar nga qeveria e kaluar, por që tani i kemi çliruar bashkë me institucionet që punojnë në realizimin e investimeve dhe ato tashmë janë në proces investimi dhe sigurisht kemi arritur marrëveshje për të tjera që do të fillojnë të realizohen vitin e ardhshëm. Bëhet fjalë për 2.800 vende të reja pune dhe tashmë jemi në proces të negociatave për 15 të tjera që janë në fazën përfundimtare, nga të cilat njëra do të jetë e madhe, me vlerë prej 360 milionë euro, të cilën presim që pasi të përfundojmë me bisedimet, ta publikojmë në muajin janar të vitit të ardhshëm, diçka që do të sjellë një shumë të madhe parash që do të hyjnë në portfolion e eksporteve të shtetit, 500 vende të reja pune të paguara mirë, teknologji moderne“, theksoi Kryeministri Mickoski.

„Ne sot po vendosim themelet për atë se si duhet të duket ekonomia e Maqedonisë 5, 10 vjet nga sot. Dhe mendoj se ky investim i teknologjisë së lartë, nëse gjithçka shkon siç duhet, do të ketë një ndikim të madh pozitiv në BPV, kur të arrijë kulmin e tij diku në vitin 2028“, theksoi Kryeministri Mickoski.