Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, në seancën e sotme të Kuvendit për pyetje të deputetëve, theksoi se rasti i fundit në SHA EMV, “Aditiv”, nuk është i vetmi dhe nuk do të përfundojë këtu, do të ketë edhe raste të tjera, opinioni do të mësojë se kush është përgjegjës dhe kush i ka vjedhur dhe ka shkatërruar me vetëdije, duke shtuar se përgjegjësia është e pashmangshme.
“Rasti që u hap për aditivët që janë përdorur në SHA EMV, ish-ELEM, në procesin e prodhimit, mund të them si inxhinier, profesor dhe si një person që ka kaluar një periudhë të caktuar në atë institucion për menaxhimin e tij, se jo vetëm që nuk kishte nevojë për një sasi të tillë për blerjen e tyre, por edhe çmimet ishin jashtë rregullave, siç e quajnë juristët rregulli i “dorës së shtrirë”, ku dora e tyre ishte shtrirë gjatë dhe përfundonte në xhepat e individëve”, deklaroi kryeministri Mickoski.
Kryeministri Mickoski theksoi se është i bindur se i dyshuari, i cili aktualisht nuk është i disponueshëm për organet e hetimit, një ditë do të jetë i arritshëm dhe do të përgjigjet sepse siç theksoi, pas shtatë viteve, borxhi ka arritur rreth 5 miliardë denarë dhe është shkaktuar një dëm i madh në sistemin energjetik prodhues për shkak të moskryerjes së riparimeve të duhura, por vetëm në mënyeë spekulative, të kryera në mënyrë joprofesionale dhe jo në kohë.
“Do të doja të theksoj se mënyra e papërgjegjshme me të cilën janë menaxhuar kombinatet prodhuese në SHA EMV ka shkaktuar një goditje ndaj sovranitetit të shtetit, sepse ne nuk jemi një vend që ka rezerva të naftës ose gazit, duke rrezikuar drejtpërdrejt vendet e punës të mijëra qytetarëve dhe indirekt dhjetëra mijëra të tjerë që punojnë në kompani që bashkëpunojnë me SHA EMV”, deklaroi kryeministri Mickoski.
Kryeministri Mickoski shtoi se gjatë shtatë viteve të fundit, kapaciteti prodhues i energjisë elektrike në rrjet është ulur nga 209 megavat në 145-150 megavat, ndërsa projekte të reja nuk ka pasur.
“Në mbledhje qeveritare kemi zhbllokuar dy projekte, dua të theksoj fazën e dytë të parkut me erë në Bogdanci, që përfaqëson një projekt cilësor dhe projekti i dytë është centrali diellor në Manastir. Këto dy projekte janë siguruar nga Banka Evropiane, me një vlerë prej qindra milionë euro, që do të shtojë vlerë në portfolion prodhuese. Shumica e abuzimeve janë bërë në mekanizimin e jashtëm për nxjerrjen e qymyrit, nëse bëni llogari, do të arrini në përfundimin se dita nuk ka 24 orë, por 36, dhe viti nuk ka 365 ditë, por 450 ose 500 ditë, janë përmbysur ligjet e fizikës dhe do të dëshiroja, në një proces hetimor nëse hapet rasti, të dëgjoj se çfarë shpjegime kanë për këtë”, deklaroi kryeministri Mickoski.