Në javët e fundit, tema e transportit publik falas për studentët ka qenë shumë aktuale. Duke marrë parasysh gjendjen e dëshpëruar financiare të Ndërmarrjes për Qarkullim Publik, u ngrit çështja nëse ajo mund të vazhdojë të funksionojë dhe u vu në pikëpyetje zbatimi i masës për transportin falas për studentët.

Bëhet fjalë për një projekt të trashëguar dhe projekt i cili kishte ngecur me shumë paqartësi dhe borxhe.

Për më tepër, duke qenë të vetëdijshëm për faktin se studentët janë e ardhmja e shtetit tonë, por edhe për sfidat e mëdha me të cilat ata përballen çdo ditë, si shpenzimet e larta për shkollim, strehim dhe jetesë. Në këto rrethana, transporti publik përbën një nga shpenzimet kryesore për ta.

Prandaj, Qeveria në mbledhjen e sotme të rregullt vendosi t’i transferojë 120 milionë denarë Qytetit të Shkupit, përkatësisht Ndërmarrjes për Qarkullim Publik, që kjo masë të mund të realizohet pa pengesa edhe gjatë vitit të ardhshëm kalendarik. Ky është një lehtësim shtesë për procesin arsimor të studentëve dhe një barrë më pak për ta, nga pikëpamja financiare.

Si kujtesë, Qeveria e mëparshme për tre vite nuk siguroi mjete për këtë qëllim dhe nuk miratoi një vendim të tillë. Kjo është arsyeja e mosbesimit që studentët kishin ndaj pushtetit ekzekutiv. Dua t’i siguroj ata që duhet të jenë të qetë, sepse Qeveria e re po përmbush premtimet dhe detyrimet ndaj qytetarëve ndërsa ky vendim është dëshmi për këtë.

Gjatë më shumë se 6 muajve të fundit, kemi pasur komunikim të rregullt dhe të hapur me të rinjtë dhe studentët, për të cilin do të flasë më tej ministrja. Kemi diskutuar shpesh për nevojat, kërkesat dhe sfidat e grumbulluara të tyre.

Transporti publik falas do t’u mundësojë studentëve një qasje më të lehtë në arsim dhe do t’i çlirojë nga barra financiare, duke i lejuar ata të përqendrohen më shumë në studimet dhe zhvillimin e tyre personal.

Kjo masë, kuptohet, ka edhe aspekt ekologjik. Duke inkurajuar të rinjtë të përdorin transportin publik, ulim përdorimin e automjeteve private, duke kontribuar kështu për një ajër më të pastër, më pak emetime të gazrave të dëmshëm dhe qytete më të shëndetshme.

Dua të theksoj se trashëguam një Qeveri me shumë probleme, por po i zgjidhim ato, duke u përkushtuar plotësisht ndaj nevojave reale të të gjithë qytetarëve. Në ditën e fundit të këtij viti, dua të përmend disa gjëra. Lindi shpresa dhe pritshmëritë janë të mëdha. Do të punojmë pa pushim, çdo ditë, vetëm për të mos zhgënjyer pritjet e qytetarëve.

Më lejoni t’ju falënderoj edhe juve, mediave, gazetarëve, kameramanëve dhe të gjithë atyre që janë pas kamerave. Jemi së bashku në këtë dhe ndajmë të njëjtin fat për të ndryshuar gjërat. Jam i vetëdijshëm për të gjitha nevojat tuaja dhe mbetemi aleati juaj.

Për të gjithë qytetarët, na pret një vit i mirë me shumë gjëra të reja dhe të bukura.

Maqedonia po bëhet përsëri e juaja.”