Kryetari i Qeverisë Hristijan Mickoski, në intervistën e sontme në emisionin „Click Plus” në TV21, zbuloi se ish-drejtori i „Lotarisë së Maqedonisë” dhe ish-nënkryetari i Qeverisë, Artan Grubi, të cilët janë pjesë e një hetimi të madh për abuzime në Lotarinë Shtetërore, nuk janë të arritshëm për organet e rendit, por sipas informacioneve që ai posedon, ish-drejtori i Lotarisë një kohë të gjatë ndodhet jashtë vendit, ndërsa Grubi, së bashku me një biznesmen tjetër, me automjet me targa diplomatike ka braktisur Maqedoninë përmes pikës kufitare me Kosovën.

Ju më pyesni për ish-nënkryetarin e Qeverisë dhe drejtorin e Lotarisë së Maqedonisë, por ata nuk janë të vetmit, bëhet fjalë për një grup më të gjerë të dyshuarish, për të cilët ka dyshime të bazuara se kanë kryer vepra penale.

Informacioni im i fundit është se ish-drejtori i Lotarisë së Maqedonisë një kohë të gjatë nuk ndodhet në territorin e vendit tonë ndërsa ish-nënkryetari i Qeverisë, së bashku me një tjetër person biznesmen, ka braktisur Maqedoninë me një makinë me targa diplomatike dhe destinacioni i fundit i njohur është fqinja jonë veriore, Kosova. Kjo është informata e fundit që unë posedoj, tha kryeministri Mickoski.

I pyetur për spekulimet se Grubi nuk ndodhet në Kosovë, por në Tiranë, kryeministri Mickoski u përgjigj:

„Unë tregova si ka dalë nga shteti, nga cila pikë kufitare dhe ku është drejtuar. Por për lëvizjet e tij të mëtejshme, nuk mund të them asgjë.”