Momente tensioni gjatë gjyqit në Hagë, Thaçi shihet i nervozuar nga ‘pyetjet sugjestive’ të gjykatësve
Seanca e radhës në Gjykatën Speciale të Hagës u shoqërua me momente të pazakonta, me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, që pa i nervozuar në disa raste.
Gjatë një pyetjeje të gjyqtarit drejtuar dëshmitarit, Thaçi ngriti ngritur dorën në një moment, ndërsa më vonë u ngrit edhe në këmbë ku kërkoi të konsultohej me avokatët e tij.
Avokati i Thaçit theksoi se dëshmitarëve duhej t’u tregohej qartë dhe në mënyrë të plotë transkripti i komunikatave të caktuara.
“Nëse ne ia bëjmë ne këto pyetje dëshmitarit, t’i tregohet shprehimisht ajo që është thënë dhe t’i lexojmë komunikatën përkatëse. Tregojani të qartë, të plotë transkriptin.” – u përgjigj avokati i Thaçit pas një konsultimi me ish-presidenten.
Paneli i gjyqtarëve në Hagë është përballur shpesh me kritika nga mbrojtësit e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët kundërshtuan format e pyetjeve të drejtuara ndaj dëshmitarëve.
Në një letër të fundit drejtuar gjyqtarëve, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi kërkuan që ata të sfidojnë Prokurorinë dhe të mos mbështesin një palë, por të kontribuojnë në zbardhjen e së vërtetës.
Avokatët e krerëve të UÇK-së theksuan gjithashtu se gjyqtarët shpesh herë kanë bërë pyetje për dëshmitarët më shumë sesa vetë mbrojtja, duke ngritur shqetësime mbi objektivitetin dhe drejtësinë e procesit.
Në një përgjigje për Nacionalen ditë më oparë, Dhomat e Specializuara të Hagës kanë thënë se kjo letër do të shqyrtohet nga gjyqtarët, por që nuk i takon kryetares së Gjykatës Speciale të ndërhyjë.
“Si çdo propozim tjetër i paraqitur nga të akuzuarit, edhe ky do të shqyrtohet nga Trupi Gjykues në përputhje me kornizën ligjore të KSK-së. Nuk i takon Presidentes të përfshihet në çështjet e pazgjidhura para kolegjeve dhe as ne nuk mund të komentojmë për çështjet që janë duke u shqyrtuar nga gjyqtarët”, thuhet në përgjigjen e Speciales për Nacionalen.
Të pyetur nga Nacionale lidhur me deklaratat e kryetares së Gjykatës Speciale se pyetjet orientuese janë të ndaluara, Specialja dha një tjetër qëndrim. Ata thanë se me rregullore, gjyqtarët mund t’i bëjnë çfarëdo pyetje dëshmitarëve.
“Presidentja theksoi gjatë konferencës për media se gjyqtarët mund të bëjnë pyetje për të sqaruar çështjet, sepse ata kanë përgjegjësi për të përcaktuar të vërtetën. Rregulli 127(3) i Rregullores së Procedurës dhe Provave parashikon se “[një] Gjyqtar në çdo fazë mund t’i bëjë çdo pyetje dëshmitarit”. Ky rregull pasqyron jurisprudencën e Dhomave të Specializuara dhe dispozitat dhe praktikat para gjykatave ndërkombëtare si TPNJ-ja dhe GJNP-ja”, thuhet më tutje në përgjigje.
Nacionale para disa muajsh kishte raportuar për disa raste ku gjyqtarët kishin bërë deklarata e pyetje tendencioze.