Tema e ndryshimeve Kushtetuese dhe premtimi i VLEN se nëse nuk ndodhin të njëjtat brenda gjashtë muajsh do të dalin nga Qeveria, vazhdon të jetë temë diskutimi në Kuvendin e Maqedonisë.

Ishte deputeti Goran Misoski nga LSDM-ja dhe koalicioni që përkujtoi Murtezanin, se VLEN i ka gënjyer shqiptarët duke ju thënë se do tw dalin nga Qeveria nëse brenda gjashtë muajsh nuk ndodhin ndryshimet kushtetuese.

“Citoj, Murtezani optimist për ndryshimet Kushtetuese dhe thoni se ende jeni brenda periudhës gjashtë mujore, kaloj ajo kohë, d.m.th, i keni gënjyer shqiptarët. Nuk ka ndryshime kushtetuese prandaj ju pyes, a do të dilni nga Qeveria. Si veprim, korrekt ndaj qytetarëve, votuesve tuaj, ndaj atyre që ju kanë besuar, sepse gjithmonë i keni kundërshtuar partitë tjera kinse nuk kanë bërë asgjë për integrimin e vendit në BE. Prandaj po ju pyes, a do të dilni nga Qeveria” – tha Goran Misoski.

Ministri i Euro-integrimeve, mohon të ketë premtuar ndryshime kushtetuese deri në fund të vitit. Thotë se ai personalisht, nuk ka premtuar një gjë të tillë dhe nuk ka thënë se nëse nuk ndodhin ndryshimet Kushtetuese, VLEN do ta lëshoj Qeverinë.

“Nuk e di si kush ua përkthen deklaratat që jap unë, por e di që spaku edhe në gjuhën maqedone kam dhjetra deklarata dhe askund nuk kam thënë se në fund të vitit në qoftë se nuk bëhen ndryshimet kushtetuese ne do të dalim nga Qeveria. Për arsye se këtë Qeveri kur e kemi komponu nuk e kemi komponu ne me një këmbë brenda e me një këmbë jasht. Duke kërcënuar partnerin tonë të koalicionit se nëse bëhen se nëse bëhet kjo ose ajo, ne do ta lëshojmë Qeverinë” – tha Orhan Murtezani.

E, bashkëpartiaku i Murtezanit, Afrim Gashi, që në këtë legjislativ, mban pozitën e kryeparlamentarit, ka deklaruar se Kuvendi është i gatshëm dhe pret propozimin e Qeverisë.

Sipas Gashit, duhet vullnet politik por edhe marrëveshje politike sepse thotë se Ndryshimi i Kushtetutës është ështje madhore dhe me të njëjtën nuk duhet eksperimentuar. Nuk tregon nëse do të dalin nga Qeveria përshkak se nuk kanë mbajtur premtimin e dhënë para qytetarëve.

“Ka qenë vullnet i një koalicioni politik, cili ka qenë qëndrimi jonë rreth atyre çështjeve ai ka qenë publik dhe ai nuk ka ndryshuar edhe tani, por siç e dini, për të ndryshuar kushtetutën duhen 2/3 e deputetëve dhe duhen më shumë elemente politike të gërshetohen që të arrihet ai qëllim. Ne po bëjmë punën tonë maksimalisht” – tha Gashi.

Ndryshe, së fundi të gjithë eksponentët e VLEN kanë filluar të mohojnë se kanë premtuar ndryshime kushtetuese brenda periudhës gjashtë mujore. E koordinatoi i Frontit Europian, Blerim Bexheti, e pyeti sot kryeministrin se cilën metodë e përdorë ai për të mbajtur në pushtet njerëz të cilët ndryshojnë deklaratat e tyre dhe nuk thonë në mbrëmje atë që e thonë në mëngjes. /tvklan.mk