Nënshkruhet marrëveshja me turqit për fabrikën e municionit, Kurti: Sapo të nisë prodhimi, do të funksionijë si ndërmarrje publike
Kryeministri Albin Kurti njoftoi se sapo ka nënshkruar një kontratë me prodhuesin shtetëror turk “Makine ve Kimya Endüstrisi” (MKE), me të cilën tha se po i vendosin “themelet e industrisë së mbrojtjes”.
“MKE merr përsipër ta vë në funksion fabrikën e municioneve e cila do të shërbejë për prodhimin e kalibrave të ndryshëm të municioneve sipas standardeve të NATO-s”, shkroi ai në një postim në Facebook.
Në këtë kontratë, Kurti tha se “përveç makinerisë prodhuese përfshihet edhe trajnimi i stafit, mirëmbajtja për një kohë të caktuar, si dhe pajisja me sisteme për testim të cilësisë dhe për kalibrim”.
“Me të filluar prodhimi, fabrika do të funksionojë si ndërmarrje publike dhe si markë 100% vendore”, shkroi Kurti.