Ministria e Punëve të Brendshme sot promovoi shërbimin për nxjerrje elektronike të certifikatës për shtetësi e cila është e arritshme përmes portalit nacional për e-shërbime uslugi.gov.mk.

“Shërbimi që ishte i disponueshëm në portal deri më tani, megjithëse mund të aplikohej në çdo kohë, dhënia e shtetësisë elektronike ishte e mundur vetëm gjatë orarit të punës. Tash e tutje, shërbimi bëhet tërësisht digjital dhe qytetarët mund të aplikojnë në çdo kohë dhe në vetëm një minutë pas dorëzimit të kërkesës, nëse gjithçka është në rregull, marrin përgjigje pozitive dhe mund ta shkarkojnë dokumentin nga sistemi. Digjitalizimi i shërbimeve dhe proceseve në Ministri është një nga prioritetet tona kryesore si Qeveri dhe si Ministri. Qytetarët meritojnë që të marrin shpejt dhe me efikasitet dokumentet e tyre, të cilat institucionet janë të detyruara t’i sigurojnë. Gjithashtu, proceset e digjitalizimit në një përqindje të madhe e zvogëlojnë mundësinë e korrupsionit nga i cili vuan shoqëria jonë, kështu që lufta kundër korrupsionit bëhet edhe përmes digjitalizimit”, theksoi ministri Toshkovski.

Portali nacional uslugi.gov.mk javën e kaluar u riemërua dhe u ridizajnua nga Ministria e Transformimit Digjital, është një portal qendror ku disponohen të gjitha shërbimet elektronike të institucioneve në vend.

Toshkovski theksoi se Ministria e Punëve të Brendshme punon me përshpejtim edhe në digjitalizimin e shërbimeve tjera të cilat do të jenë të arritshme për qytetarët në periudhën e ardhshme.