Një gjerman 38-vjeçar, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, sot ka vjedhur një ekskavator dhe ka udhëtuar me të nga një qytet në tjetrin, duke goditur automjete të shumta, ka dëmtuar makina policie dhe lënduar një polic, pas çka është qëlluar dhe ka ndërruar jetë në vend, raportoi Bild.

Ai e ka vjedhur ekskavatorin nga një kantier ndërtimi në vendin Grünsfeld, në rajonin Baden-Württemberg, rreth orës 13:35, dhe më pas është nisur drejt qytetit fqinj Tauberbischofsheim.

Policia ka tentuar për rreth një orë ta ndalojë dhe ta neutralizojë personin, i cili vazhdonte të ngiste ekskavatorin, duke shkatërruar gjithçka që i dilte përpara. Në fund, ai është qëlluar me armë, dhe megjithëse mjekët kanë tentuar ta reanimojnë, nuk kanë arritur t’ia shpëtojnë jetën.