Shkruan: Sadije Aliti
Manifestimi kulturor, “Mbrëmje tetovare me poezi dhe muzikë”, bashkoi tre institucione të rëndësishme për jetën kulturore të qytetit të Tetovës, Shoqatën e Shkrimtarëve “Oeneum”, Shoqërinë Kulturore Artistike “Xheladin Zeqiri” dhe Bibliotekën e Tetovës, për të shënuar një jubile të rëndësishëm 75 vjet “SHKA Xheladin Zeqiri”. Nëpërmjet këtij evenimenti krijohen mundësi të reja për të promovuar artin dhe kulturën e pasur të këtij rajoni. Shtatë dekada e gjyshmë jetë në qytet, veprimtari kulturore-artisitke, veprimtari patriotike e atdhetare, traditë e vazhdimësi arti ndër shqiptarë. Manifestimet si ky janë thelbësore për pasurimin e trashëgimisë sonë kulturore dhe për forcimin e lidhjeve mes brezave.
Artisti dhe shkrimtari kanë gjithmonë një rol të veçantë në shoqëri, ata janë ata që na ndihmojnë të kuptojmë më mirë vetveten dhe botën përreth nesh. Duket qartë se ky bashkëpunim i përbashkët, midis shkrimtarëve dhe artistëve të ndryshëm, krijon mundësi për një dialog të vazhdueshëm që sjell fryma të reja dhe ide të freskëta për zhvillimin e kulturës tonë.
Shoqata “Oeneum”, me përkushtimin dhe pasionin e saj për letërsinë, ka arritur të krijojë një platformë të fuqishme për shkrimtarët dhe artistët, duke i dhënë mundësinë të shpalosin talentin e tyre dhe të kontribuojnë në pasurimin e kulturës sonë. Shoqëria Kulturore Artistike “Xheladin Zeqiri”, nga ana tjetër, është një model i përkushtimit për zhvillimin e artit dhe promovimin e vlerave artistike, duke u dhënë mundësi atyre që duan të shprehin idetë dhe ndjeshmërinë e tyre përmes artit. Biblioteka e Tetovës ka një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe shpërndarjen e dijes, duke ofruar një pasuri të pashtershme për të rinjtë dhe të gjithë ata që kërkojnë njohuri dhe frymëzim. Është vërtet e lavdërueshme që këto tri institucione kanë bashkuar forcat për të realizuar këtë aktivitet të veçantë.
Në emër të nikoqirit të këtij takimi, Biblioteka e Tetovës, fjalë përshëndetëse mbajti Gjylten Ajruli, bibliotekiste, fjalë përshëndetëse mbajti edhe Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve “Oeneum” Daim Iljazi, si dhe Kryetari i SHKA “Xheladin Zeqiri” Blerim Islamin.
Shka “Xheladin Zeqiri” ishte vatër e kulturës, në vjeshtën e vititi të largët 1949, kur edhe u themelua kjo Shoqëri, e nga kjo fole kulturore patën nismën grupi i dramës, grupi i baletit, grupi i recitatorëve, grupi letrar, e shumë nism të tjera. Një vështrim të shkurtë rreth historikut të veprimtarisë kulturore prezentoi profesori univerzitar dr.Bekim Ramadani.
Poezia “Vallja e kaçakëve” me autor Ramadan Sinani, që llogaritet edhe si himn i SHKA “Xheladin Zeqiri” nën përcjelljen e tingujve të kitarës nga nxënësi i shkollës së mesme të muzikës Elmir Zejneli, shënoi edhe fillimin e orës letrare. Kultura është ajo që na bashkon, ajo që na frymëzon, dhe ajo që na jep mundësinë të krijojmë dhe të shprehim veten. Është bukur kur në një vent bëhen bashkë artistët, u prezentuan vargjet e poezive të krijuesve tetovarë. Sadije Aliti, Daim Iljazi, Behare Neziri, Adem Abdullahi, Nebi Jusufi, Bajramali Selimi, Merita Abazi, Remzi Saliu, Syrja Etemi, Muaxher Haruni, Merita Isaki, Emira Ibishi, Bejza Isaki, Zylbear Zylbeari, Salajdin Salihu, Mehas Sulejmani, Rami Kamberi. Aktiviteti u pasurua edhe me pika mizikore, profesor Miftar Memeti me kitarën e tij prezentoi këngë për Jusuf Gërvallë dhe Flakran Arsllani në violinë, ndërsa nën përcjelljen e tingujve të kitarës nga Metin Iseni, këngën “Kur pranvera ishte në Prishtinë” nga solisti Ismet Islami u përmbyll kjo mbrëmje artistike, me një mundësi të shkëlqyer për të shijuar artin dhe letërsinë dhe për të nxitur më shumë bashkëpunim dhe krijimtari.