Ajri i ndotur çdo vit mbyt rreth 2800 banorë të vendit, deklaroi në fillim të konferencës në Shkup për cilësinë e ajrit, drejtori i Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, Masimiliano Paoluçi.
Ai tha se pavarësisht progresit që nga vitet 1990, ndotja e ajrit është ende e lartë, veçanërisht në muajt e dimrit.
“Njerëzit në Shkup dhe Tetovë janë të ekspozuar ndaj niveleve dukshëm më të larta të grimcave toksike (PM2.5), krahasuar me njerëzit nga Evropa Perëndimore, shtoi Paoluçi.
Ajri i shëndetshëm, theksoi ai, është i një rëndësie vendimtare për zhvillimin e qëndrueshëm.
Fjalim kishte edhe zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti.
“Sot së bashku me Bankën Botërore dhe institucionet përkatëse që kanë autoritetet në këtë pjesë për ajër më të pastër, morëm pjesë në një prezantim të analizës dhe punës së gjerë të Bankës Botërore, normalisht me institucionet tona lokale dhe me mjedisin jetësor, në aspektin e analizimit të mënyrave për atë që kemi ajër të ndotur dhe si mund t’i zgjidhim ato. Rishikim i veçantë është në qytetet më të mëdha në zonat urbane, duke filluar nga Shkupi, kështu që, kjo përputhet edhe me programin tonë që e sollëm para disa ditësh në nivel të Qeverisë, të udhëhequr nga MMJPH, ku janë përfshirë të gjitha institucionet që kanë kompetenca. Dallimi është se analizat e Bankës Botërore dhe UNDP dhe institucioneve tjera përkatëse i dinë saktësisht arsyet se pse kemi ajër të tillë dhe punojmë më shumë për t’i hequr ato shkaqe, jo si në të kaluarën duke vrapuar vetëm pas pasojave dhe duke mos e ditur saktësisht se çfarë dhe si do e bëjmë. Mendoj se kjo është një bazë e mirë”, nënvizoi Mexhiti në deklaratë për mediat.
Sipas tij, faktori i parë është është se amvisëritë dhe industria ende përdorin dru të cilësisë së ulët dhe burime të tjera ngrohjeje, sidomos në sezonën e dimrit.
“Këtu është edhe transporti urban dhe një sërë arsyesh tjera. Ne tashmë kemi miratuar dhe jemi duke punuar në një program specifik ku përveç gazifikimit janë planifikuar edhe sisteme kogjeneruese të gazit, gjithashtu planifikojmë të subvencionojmë edhe kthimin e qytetarëve në ngrohje qëndrore, veçanërisht në zonat urbane ku ajo ekziston. Për sa i përket gazifikimit, mendoj se kjo është një nga zgjidhjet që qytetarët do t’i drejtojë drejt mjeteve më pak të dëmshme ose të padëmshme për ngrohje gjatë sezonës. Gjithashtu lidhur me transportin urban, siç kemi filluar me autobuës elektrikë, planifikojmë që në Qeveri të shpërndajme edhe 100-120 të tjerë për transport publik në komuna, këtu ka edhe nisma private, fabrika që këto ditë do të lëshohet për përpunim të vajit të përdorur dhe kjo të reciklohet 100 për qind dhe të ketë prodhim nga Republika e Maqedonisë. Punojmë gjithashtu edhe në nisma dhe projekte të tjera. Do të thotë, jemi të përkushtuar që t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që të kemi ajër më të pastër”, theksoi Mexhiti.