VMRO-DPMNE dhe LSDM nuk do të pranojnë pensionim në moshën 67 vjeçe për meshkujt dhe femrat. Por, kryeministri Hristijan Mickoski sot nuk zbuloi nëse do ta pranojnë sugjerimin e dytë të Këshillit fiskal, që propozon që nga 1 janari i vitit 2026 kompanitë të paguajnë shtesë 0.7 pikë për qind për sigurim pensional me çka kjo shkallë nga të tanishmet 18.8% do të rritet në 19.5%. Kur do të vendosin, do ta informojnë opinionin. Përveç Mickoskit, misterioz ishin edhe nga Oda Ekonomike e Maqedonisë.

Sipas kryetarit të Këshillit fiskal, Gligor Bishev, rritja e kontributeve do të thotë shpenzim i ri dhe më i madh për kompanitë, por nuk do ta dëmtojë konkurrencën për shkak se Maqedonia pas Kosovës, ka shkallë më të ulët të kontributeve.

Ai theksoi se nëse nuk ndërmerren masa për sanimin e Fondit Pensional, deri në vitin 2028 do të kemi rritje drastike, mjete që do të na nevojiten nga buxheti të transferohen në SPIM që të paguhen pensionet. Për vitin 2025, kjo shumë është 536 milionë euro para nga buxheti.

Bishev shtoi se nëse rritet shkalla e kontributeve për sigurim pensional në 19.5%, në vitin 2027 do të duhet të bëhet vlerësim – nëse i ka dhënë rezultatet dhe a është sanuar Fondi apo do të duhet të bëhet korrigjim i ri nga 1 janari i vitit 2029 kur kjo shkallë duhet të arrijë 21%. Përndryshe në Maqedoni paguheshin 21.2% kontribute pensionale deri në vitin 2008, kur pushteti i atëhershëm i VMRO-DPMNE-së e uli këtë shkallë në 18%, pas çka qeveria e LSDM-së në vitin 2019 dhe 2020 e rriti shkallën për nga 0.4% që të kemi shkallën e tanishme prej 18.8%.