Pas pranimit të fajësisë, Prokuroria e Hagës propozon që Haxhi Shala të dënohet me 3 vjet burg, Januzi prej deri në 30 muaj
Haxhi Shala e Sabit Januzi kanë arritur marrëveshje për pranim të fajësisë lidhur me akuzat për ndikimin e një dëshmitari që planifikohej të dëshmonte në Gjykatën Speciale.
Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Sipas dokumentit për pranim të fajësisë të cilin e ka parë gazeta Nacionale, Haxhi Shalës i është propozuar dënimi me burg prej 3 vjetësh, ku do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim.
Kohëzgjatja e dënimit është propozuar edhe nga Haxhi Shala edhe nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
“Ne kembim te pranimit te fajit nga H axhi SHALA, nese pranohet nga Trupi Gjykues, Prokuroria bie dakord me sa vijon: Prokuroria do t’i rekomandoje Trupit Gjykues denimin me tre (3) vjet burgim dhe dote rekomandoje qe Haxhi SHALES t’i llogaritet koha qe eshte mbajtur ne paraburgim ne Dhomat e Specializuara te Kosoves;”, thuhet në dokument.
Haxhi Shala në një deklaratë e cila është pjesë e dokumentit, e konfirmon pranimin e fajësisë me rekomandim të avokatit.
“Une, Haxhi SHALA, e kam lexuar kete Marreveshje ne nje gjuhe qe e kuptoj plotesisht dhe karn shqyrtuar me kujdes çdo pjese te saj me Mbrojtesin tim te Specializuar, Toby CADMAN. Toby CADMAN me ka keshilluar per natyren e akuzave kunder meje, per te drejtat e mia, per mbrojtjen e mundshme dhe per pasojat e lidhjes se kesaj Marreveshjeje dhe pranimit te fajit. Mua nuk me eshte bere asnje premtim apo nxitje tjeter, perveç atyre qe pennbahen ne kete Marreveshje. Per me teper, mua nuk me ka kercenuar apo detyruar askush, ne asnje menyre, per te bere kete Marreveshje. Une e kam bere kete Marreveshje lirisht dhe vullnetarisht dhe gezoj shendet te plote mendor. Une i kuptoj kushtet e kesaj Marreveshjeje dhe pajtohem vullnetarisht me secilen prej tyre”, thuhet më tutje.
Kurse, për Sabit Januzin, Prokuroria e Hagës, ka propozuar dënim prej 24 deri në 30 muaj.
Komunikata e Prokurorisë:
Në çështjen gjyqësore Januzi dhe të tjerët, sot u bënë publike dy marrëveshje më vete për pranimin e fajësisë, ku Sabit Januzi dhe Haxhi Shala, secili më vete, pranuan fajësinë për një akuzë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe një akuzë për frikësim gjatë procedurës penale.
Secila nga marrëveshjet për pranimin e fajësisë bazohet në “faktet e pranuara”, me çka të akuzuarit pranojnë se disa fakte të paraqitura në aktakuzë do të vërtetoheshin jashtë dyshimit të arsyeshëm dhe janë të vërteta dhe sakta.
Rregullorja e Procedurës dhe e Provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës lejon që Prokurori i Specializuar dhe Mbrojtja të arrijnë marrëveshje për pranimin e fajësisë, e cila duhet të miratohet nga Trupi Gjykues para se të hyjë në fuqi. Trupi Gjykues është duke shqyrtuar aktualisht marrëveshjet për pranimin e fajësisë në këtë çështje gjyqësore.
Sipas rregullës 94 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave së DHSK-së, Trupi Gjykues miraton marrëveshjen vetëm nëse gjykatësit binden se janë përmbushur disa kushte:
• se ekziston bazë faktike e mjaftueshme që vërteton faktet thelbësore të nevojshme për vërtetimin e veprës penale dhe pjesëmarrjen e të akuzuarit
• se avokati ka diskutuar marrëveshjen me të akuzuarin dhe se i akuzuari i kupton kushtet e marrëveshjes
• se i akuzuari pranon fakte në lidhje me akuzat në marrëveshje dhe se pranimi është bërë pa kërcënime ose detyrim
• se i akuzuari kupton pasojat e marrëveshjes dhe heq dorë nga e drejta për t’u gjykuar me procedurë gjyqësore të zakonshme
• se janë marrë parasysh si duhet interesat e drejtësisë
Trupi Gjykues ka caktuar seancën për marrëveshjet për pranimin e fajësisë për 18 dhjetor, në orën 09:00, dhe ka rezervuar edhe 19 dhjetorin në qoftë se do të jetë e nevojshme.
Gjatë pjesës së parë të seancës së nesërme, Trupi Gjykues së pari do të diskutojë çështje paraprake në lidhje me marrëveshjet për pranimin e fajësisë dhe më pas do të mbajë seancë për pranimin e fajësisë për z. Shala, vijuar nga seanca për pranimin e fajësisë për z. Januzi.