Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi duke folur në protestën qytetare para bashkisë së Tiranës, akuzoi Erion Veliajn për vjedhje.

Sipas Blushit, në vitin 2025 Erion Veliaj do të vjedhë 1.8 miliardë lekë, para që do të jepen për inceneratorin fantazmë të Tiranës.

Protesta te bashkia/ Malkaj-policëve: Po mbroni një kriminel dhe një hajdut

Tensione tek protesta e opozitës te bashkia e Tiranës pasi policia hapi rrugën për makinat…
‘Është një përpjekje kriminale, pasi nëse ka një autoritet që i ka shpallur luftë qytetarëve, kjo është bashkia e Tiranës.

Vetëm dy ditë më parë, në këtë institucion u miratua buxheti më i madh që në fakt nuk është gjë tjetër, por buxheti i vjedhjes më të madhe në historinë e Tiranës, buxheti më antisocial, me korruptin.

Nëpërmjet këtij buxheti i akordohen 1.8 miliardë lekë inceneratorit fantazëm të Tiranës, për një shërbim që nuk kryhet.

Këto janë 1.8 miliardë mundi dhe djersa juaj, që do të vidhen vitin e ardhshëm nga ky kryetar bashkie.

Ndërkohë, pothuajse zero është fondi për shtresat në nevojë, pothuajse asnjë parashikim për të ndërtuar çerdhe, kopshte, dhe shkolla të reja.

Në buxhetin më të madh në historinë e këtij qyteti, qytetarët nuk dinë sa rrugë do të shtrohen, sa shkolla do të kenë, sepse asnjë buxhet nuk zgjidh problemin e ujit të pijshëm, sepse asnjë buxhet nuk zgjidh problemin e shkollave me dy turne, apo strehimin e mijërave familje të cilat vitin e ardhshëm do të jenë në qiell të hapur’, tha gjatë fjalës së tij Tedi Blushi, në protestën tek bashkia e Tiranës.