Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në mbledhjen e përbashkët mes dy kuvendeve që po mbahet në Prishtinë, as këtë herë, nuk e la pa i përmendur ish krerët e UÇK-së, që po mbahen në paraburgim në Hagë, raporton Gazeta Sinjali.

Rama tha se Thaci, Veseli, Krasniqi e Selimi po vazhdojnë të mbahen peng, në një proces siç tha ai, të parregullt gjyqësor.

“Sot që ne të gjithë jemi këtu, ku u firmos pavarësia e Kosovës, Hashim Thaci, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, vazhdojnë të mbahen peng, prej gati pesë vjetësh, në qelitë e një drejtësie ndërkombëtare. e cila në çdo hap ka zhgënjyer këdo që ka pritur prej saj virtytet e drejtësisë.

Nuk e diskutoj të drejtën e asaj gjykate për të bërë punët që ia ka ngarkuar edhe vendimmarrja e kësaj salle, ku vet Hashimi ka ngritur dorën për t’u formuar ajo gjykatë.

Por, ajo që nuk vij dot deri në Prishtinë, të marr fjalën dhe pastaj ta gëlltis në heshtje, në këtë foltore para jush, në mungesë të Hashimit, Kadriut, Jakupit e Rexhepit, është nyja e mbledhur në fyt, nga një dyshim shumë i madh dhe krejt i arsyeshëm që ai proces është i parregullt gjyqësor.

Nuk rri dot po ashtu, pa ua thënë vëllazërisht, që në këtë sallë nuk është ndërmarr asnjë nisëm, për të kërkuar të gjitha vendeve financuese të asaj gjykate, shqetësimin e madh mbi standardet e asaj gjykate.

Gjykata është e pavarur, por standardet nuk janë të varura nga gjykatësit.” – tha Edi Rama në Kuvendin e Kosovës, raporton Sinjali.